“Certifikatat e shtëpive, zero lekë”/ Rama-himariotëve: Himara ka nevojë për qetësi e zhvillim, mos shihni as nga veriu as nga jugu

schedule10:59 - 24 Maj, 2024

schedule 10:59 - 24 Maj, 2024

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë certifikata për shtëpitë e trashëguara në Himarë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë deklaroi se kjo nuk ka kosto për qytetarët. Rama nënvizoi se Himara ka nevojë për qetësi dhe zhvillim.

“Kështu që, të jemi shumë të qartë. Certifikatat e shtëpive, se dëgjova njërin që bërtiti andej – se këta që bërtasin andej nëpër cepa nuk e di unë se çfarë himarjotësh janë se himarjotët zakonisht i vënë gjoksin dallgës ditën dhe natën nuk shkojnë nëpër cepa sikur janë nga Shijaku. Kështu që, ju e dini mirë se çfarë ka deti dhe ditën dhe natën. Kështu që nuk ju shpëton gjë. Prandaj mos bini pre e këtyre broçkullave se nuk e do njeri Himarën më shumë sesa e doni ju që jetoni këtu apo ata që e kanë lënë për arsye që dihen dhe nuk ka të tjerë. Nuk ka të tjerë që ta duan më shumë se ju dhe nuk ka të tjerë që ta qajnë dot hallin tuaj, siç e qaj unë që jam një nga ju, doni s’doni ju! Jam një nga ju!

Kështu që, certifikatat sot do t’i merrni, një pjesë do ta japim simbolikisht, pjesën tjetër po patët durim aty janë të tëra një nga një, merreni. Dhe ai që bërtiti atje, sa kushtojnë ato? Ato kushtojnë zero lek. Zero! Zero lek! Dhe juve beso dhe kontrollo. Merreni, shkoni në shtëpi edhe do shikoni, xhepin e keni siç e kishit pa e marrë. Asgjë. Të tëra falas, pa asnjë kokërr leku. Se janë shtëpitë tuaja. Ne kemi ndërtuar mijëra e mijëra shtëpi për tërmetin dhe ndryshe nga çdo vend tjetër edhe nga Turqia asnjë kokërr leku nuk i kemi kërkuar atyre që humbën shtëpitë, as nuk iu kemi thënë “hajde merrni një kredi”, asgjë. Janë shtëpitë e tyre, t’i gëzojnë, t’i shesin, të bëjnë çfarë të duan. Himara ka nevojë për qetësi, ka nevojë për zhvillim, ka nevojë të ngrihet aty ku mund të shkojë, ka filluar të ngjitet, do ngjitet shumë lart dhe nga ngjitja e saj do përfitoni të tërë ju të parët.

Këto janë ato që kisha unë për të mos ju mbajtur gjatë. Edhe njëherë bëni himarjotin, bëni himarjotin, bëni himarjotin edhe mos shihni as nga veriu as nga jugu se s’keni parë nga veriu dhe nga jugu asnjëherë ju, juve edhe kur të tjerët shkonin andej, shkonin këtej donit të ishin republikë më vetë ju, po pra. Edhe mbreti atëherë e kuptoi o duhet t’iu linte të qetë ose do i çanit kokën me gurë. Kështu që kështu mbajeni, rrini këtu, veriu dhe jugu të shohin punët e  tyre. Dakord!”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!