Cerezo zbulon një prapaskenë rreth Suarez, askush si Atletico në Superkupë

schedule23:17 - 25 Shtator, 2020

schedule 23:17 - 25 Shtator, 2020

Në kampin e Atletico Madrid janë të gjithë të lumtur për mbërritjen e Luis Suarez. Bomberi uruguaian vjen të përforcojë sulmin e ekipit të Diego Simeones dhe sot firmosi një kontratë 2-vjeçare me “Colchoneros”.

Enrique Cerezo, presidenti i Atleticos, nuk e fsheh lumturinë e tij në një prononcim për Marca, aty ku zbulon edhe një prapaskenë të ndodhur vite më parë. “Kemi marrë një futbollist të madh. Suarez është një nga goleadorët më të mirë në Evropë dhe jemi shumë të lumtur që është bërë pjesë e klubit tonë.

Kemi tentuar blerjen e tij që kur luante në Holandë, por nuk ia dolëm falë situatës së vështirë financiare. Gjithsesi, fati deshi që lojtari të vinte tek Atletico Madrid disa vite më vonë“, deklaron kreu i klubit spanjoll.

Mbrëmjen e kaluar u luajt finalja e Superkupës së Evropës mes Bayern Munchen (fitues të Champions League) dhe Sevilla (mbretëresha e Europa League). 90 minutat u mbyllën në barazim 1-1, por në shtesa triumfuan rekordmenët gjermanë falë golit të Javi Martinez.

Një rekord për Atleticon, që mbetet ekipi i vetëm që ka fituar Superkupën duke luajtur finalen si fituese e Europa League. Tre herë e kanë bërë djemtë e Simeones diçka të tillë në 11 vitet e fundit, në 2010 ndaj Interit dhe dy herë kundër Real Madrid (2012 dhe 2018). /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!