Ndërkohë që në vend vijon procesi për hyrjen në fuqi të emrit të ri Maqedonia e Veriut, para ndërtesës së qeverisë në Shkup është ngritur flamuri i NATO-s. Ceremonia u zhvillua pasi vendet anëtare me anë të ambasadorëve të tyre në Aleancën Euro-Atlantike nënshkruan protokollin për anëtarësim në Bruksel.
Me një ceremoni solemne në Shkup, Flamuri i NATO-s sot është ngritur para ndërtesës së qeverisë së Maqedonisë, pasi vendet anëtare, nëpërmjet ambasadorëve të tyre në Aleancës, të mërkurën e kaluar kanë nënshkruar në Bruksel protokollin qasës të Maqedonisë. Ndërkohë, vazhdojnë aktivitetet për hyrjen në fuqi të emrit të ri të, Republika e Maqedonisë së Veriut.
Sipas Kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, vendosja e flamurit të NATO-s para qeverisë nuk është vetëm akt simbolik. Ai tha se flamuri përfaqëson përcaktimin e shtetit për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE. Meritat janë të qytetarëve, të cilët në numër të madh i dhanë mbështetje anëtarësimit, shtoi kryeministri, pa harruar t`i falënderojë edhe deputetët grek dhe ata të Maqedonisë.
Zoran Zaev: Falënderim të veçantë kam për kryeministrin e Republikës së Greqisë, mikun tim Aleksis Tsipras, për vizionin dhe guximin që me vendosmëri të përcaktohemi për të gjetur zgjidhje për një problem që për shumë njerëz ishte problem i pazgjidhur. Zgjidhje që do të jetë shembull për marrëveshje të kompromisit mes fqinjëve në Ballkan. Kjo do t’i fshijë memorjet e këqija për Ballkanin që ekzistojnë në vetëdijen e shumë evropianëve.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, me siguri deri në mbrëmje Greqia do ta dërgojë notën verbale me të cilën do ta njofton qeverinë e Maqedonisë për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe protokollin për NATO. Siç thuhet kanë mbetur vetëm disa detaje diplomatike dhe se kjo do të ndodh së shpejti. Ndërkohë, tabelat me emrin e ri të shtetit janë gati dhe po presin vetëm aprovimin e qeverisë. Do të fillohet me pikat kufitare, në jug të vendit, kurse pritet shpallja e vendimit nga ana e qeverisë në gazetën zyrtare./abcnews.al