Censi i popullsisë, dom Gjergj Meta: Deklaroni besimin. Uroj mos të kthehet në garë “ekipesh”

schedule11:48 - 21 Shtator, 2023

schedule 11:48 - 21 Shtator, 2023

Prej pak ditësh ka nisur censi i popullsinë në vendin tonë. Pas nisjes së censit, komunitetet fetare i kanë bërë thirrje qytetarëve që të deklarojnë besimin e tyre.

I ftuar në studion e “ABC Mëngjesit” ka qenë peshkopi, dom Gjergj Meta.

I pyetur se pse është kaq e rëndësishme në këtë periudhë që të themi se çfarë besimi fetar i përkasim, dom Gjergj Meta tha se personalisht për të nuk ka ndonjë rëndësi.

“Personalisht për mua, nuk ka ndonjë rëndësi që të thuhet, në kuptimin që, për qëllimet e censit. Derisa censi vetë e ka lënë edhe mundësinë e përgjigjes duke thënë se preferoj të mos përgjigjem është parë si një e drejtë e atij personi që të mos e thotë. Por nëse dikush e ndjen që vërtetë i përket besimit katolik bën mirë që ta deklarojë. Edhe ne si kishë kemi mbajtur një linjë me censin” tha ai.

Edhe klerik të komunitetit mysliman në deklaratat e tyre janë shprehur thuajse njëlloj me të krishterët, por shtetit pse i duhet kjo? Dom Gjergj Meta tha:

“Censi nuk është ndonjë gjë e re. Madje Ungjilli i Lukës, fillon me një census sepse thuhet kur u vendos që të bëhet regjistrimi i popullsisë, Jezusi ishte emigrant në Egjipt me familjen e tij dhe për shkak të censit kthehet në Betlehem, te vendi i babait të tij. Për ashtu si e kuptoj unë, censi është i rëndësishëm si një fotografi, që nuk është gjithçka, por të ndihmon për të ndërtuar strategji pune. Meqë mora shembullin e fotografisë, fotografia mund të jetë bardh e zi, por mund të jetë edhe me filtra. Nuk duhet të ndodhi as njëra, as tjetra, por duhet të jetë fotografia reale. Dhe unë shpresoj që INSTAT të ketë kurajon dhe ta çojë si duhet deri në fund. Do të shikohet zbraza e fundit, që kanë qenë për mua një nga problemet më të mëdha. Shtëpitë e braktisura, me vetëm disa pleq brenda,” u shpreh dom Gjergj Meta.

Në lidhje me mundësinë e një rreziku që të krijohen disa skuadra si “skuadra futbolli” në përfundim të këtij censi, dom Gjergj Meta u përgjigj:

“E kam menduar këtë. Do të ishte mirë ta shmangnim këtë. Do të ishte mirë që përkatësia religjoze mos të ishte çështje përqindjesh, por të ishte diçka shpirtore. INSTAT flet me përqindje dhe nëse i bazohemi kësaj gjëje herë pas herë. Mua më ka ndodhur që kur shkoj në një shtet tjetër të më pyesin “sa përqind katolik jeni?”, dhe sigurisht ti do ti referohesh shifrave dhe ne i jemi referuar një censui të kohës së Zogut, ai në vitin 2000 u bë, por kaloi me disa polemika. Por ama me përqindje nuk duhet të luhet  nga pikëpamja e ndjenjave të njerëzve. Sido që të jetë, feja i përket shpirtit të njeriut, sjellës së tij, qasjes së tij ndaj shoqërisë, se si e bën jetën e tij shpirtërore, çështja e numrave është gjithmonë relative”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!