Tirana pret Kukësin në “Selman Stërmasi” ditën e shtunë (14:00). Një përballje shumë e vështirë, por djemtë e Orges Shehit do të tentojë fitoren e tretë radhazi në kampionat. Pas trajnerit Shehi foli edhe Jurgen Çelhaka për mediat.
“Jam gati 100%, në stërvitje kam qenë shumë mirë, pozicioni im është aty ku duhet. Shpresoj të vazhdoj me ritmin që kam qenë më parë. Mendoj se me dy fitoret e fundit që kemi arritur, grupi është i bashkuar, harmonia është aty ku duhet dhe duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, ky është objektivi ynë.
Kukësi? Ndeshja duhet fituar, duhet dhënë maksimumi. Është ndeshje e rëndësishme, na vlejnë tre pikët. Ne na motivon vetëm ndeshja e radhës. Të fitojmë këtë ndeshje, pastaj në fund flasim për pjesën tjetër. Tani nuk jemi në pozita për të bërë llogari për titullin.
Tiranën e kam parë mirë. Ne na mungojnë rezultatet, është e vërtetë, por loja ka qenë bindëse. Vetëm fati nuk ka qenë me Tiranën. Besoj se tani edhe grupi është i plotë, nuk kemi dëmtime dhe besoj se do ta shohim Tiranën akoma më mirë.
Vlerësimi i trajnerëve? Kjo më bën të ndihem shumë mirë dhe kam për detyrë që të punoj dhe t’ia shpërblejë në fushë besimin që ata më japin“, përfundon mesfushori i talentuar i kampionëve në fuqi. /abcnews.al