Tirana mirëpriti edhe këtë vit Samitin e Diasporës. Gjatë ceremonisë së mirëseardhjes në Pallatin e Brigadave, ministri Pandeli Majko vlerësoi dhe falenderoi gjithë shqiptarët e ardhur edhe nga vendet më të largëta.
Pandeli Majko, ministër i Diasporës: Kjo është një shtëpi e veçantë. Është shtëpia e mbretit, por sot mbret jeni ju.
Kështu e çeli ministri i Diasporës, Pandeli Majko, Samitin e Diasporës në Tiranë, duke vlerësuar gjithë bashkëkombasit e ftuar. Majko theksoi se ky samit shërben për të diskutuar çështje në interes të përbashkët dhe mbi të gjitha për t’u dëgjuar.
Pandeli Majko: Për të gjithë bashkë, për të diskutuar çështje të cilat na lidhin me interesa me ekonomi, por mbi të gjitha na bëjnë të pohojmë atë që jemi dhe mbi të gjitha atë që do të jemi. Kjo është një shtëpi, që i është dedikuar mbretit, por ne jemi sot për t’ju pohuar se në këtë shtëpi, qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë, politikanët e të gjithë trevave shqiptare vijnë jo që ju të na dëgjoni, por që t’ju dëgjojmë.
Në fund të fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së Samitit, ministri Majko kishte edhe një mesazh për të gjithë shqiptarët dhe mbi të gjitha për diasporën.
Pandeli Majko: Siç e kanë thënë të parët tanë në ditët më të vështira dhe të errëta të kombit, Shqipëria ka për t’u bërë dhe ajo pa diskutim nuk mund të bëhet pa vullnetin, pa ndihmë, pa interesimin, pa këmbënguljen e pjesës së vet, ndoshta më të mirë që është diaspora e Shqipërisë./abcnews.al