Ditën e dielë, ora 16:45 në “Loro Boriçi” do të vihen përballë njëra-tjetrës Teuta dhe Kastrioti, për të zhvilluar mes tyre sfidën e javës së 25-të të Abissnet Superiore.
Pas barazimit ndaj Laçit, skuadra krutane kërkon pikët e radhës dhe do të ketë një ndeshje direkt kundër Teutës për mbijetesë edhe pse diferenca mes dy skuadrave është 6 pikë.
Ndërkohë fitorja 0-1 me Egnatian ka bërë që në kampin e djemve të detit të jenë optimistë për fitoren, duke dashur të afrohen me zonën evropiane dhe të lënë pas atë të ftohtë.
Për këtë ndeshje, trajnerit Çela i rikthehen 3 lojtarët e rëndësishëm që munguan në sfidën e kaluar. Bedri Greca, Kodra dhe qendërmbrojtësi Bekim Dida janë bashkuar me skuadrën dhe do të jenë gati për të luajtur ditën e diel.
Që të tre lojtarët janë pjesë e rëndësishme e formacionit krutanë dhe Kastrioti vjen i plotë në këtë ndeshje dhe do të kërkojë me çdo kusht të marrë pikë.
Për Renato Arapin, sërish do mungojë Jackson. Braziliani i mbrojtjes prej muajsh vuan një dëmtim, duke vazhduar me fazën e rikuperimit. Me 28 pikë për vendin e 6-të, durrsakët janë gjashtë pikë pas Partizanit. /f.a/abcnews.al