Partizani ishte “viktima” e radhës e Kastriotit, me krutanët që iu falen Kainas, ku ky i fundit shënoi edhe golin që do i jepte 3 pikë të rëndësishme skuadrës së tij.
Një fitore që e pozicionon Kastriotit në mesin e tabelës, duke e larguar kështu nga zona e mbijetesës.
Pas kësaj fitoreje, Emiliano Çela analizoi takimin, ndërsa u shfaq i kënaqur për 3 pikët.
Kastrioti fitoi tre pikë tepër të rëndësishme pas fitores 1-0 ndaj Partizanit. Ekipi krutan është ngjitur në kuotën e 28 pikëve. Trajneri i Kastriotit, Emiliano Çela analizoi suksesin e sotëm në prononcimin e dhënë për “Gol pas Goli” në Supersport.
“Kishte merita edhe kundërshtari. Ishte ndeshje nervoze dhe e ekuilibruar, normale që do bëhej ndeshje taktike. Ishte ndeshje e fortë, kundërshtari luajti mirë, qarkulloi topin dhe ishte agresiv, na u përgjigj me armën tonë më të mirë.
Jam shumë i kënaqur me ekipin, pasi ishte një ndeshje sprove. Të gjitha ekipet do tregohen shumë cinike në këto momente të kampionatit, pasi rëndësi kanë pikët.
Penalltia? M’u duk faull shumë i lehtë për të dhënë penallti. Edhe arbitri e kishte të vështirë sot, por më bëri përshtypje që jepte faulle të lehtë për Partizanin. Nuk shoh kontakt te penalltia, por ç’rëndësi ka tani. Sulmuesi i Partizanit është më i interesuar të rrëzohet, nuk kërkon topin.
Hasani? Edoni ka qenë i dëmtuar, ka pasur probleme gjatë javës. kërkova unë që ta kisha në stol sot. Ishte një moment që menduam ta fusnim ekipin në ekuilibër, duke luajtur me dy lojtarë përpara mbrojtjes dhe e vendosëm Hasanin si numër 10-sh. Për fat të mirë na doli ndërrim i qëlluar”, deklaroi Çela /f.a/abcnews.al