Endri Çekiçi vjen pas një sezoni fanastik në Turqi me Konyaspor dhe në prag të ndeshjes me Islandën në Nations League ai doli para mediave. Mesfushori fillimisht tha: “Që kur u transferova te Konyaspor, Cikalleshi e Bytyqi më kanë ndihmuar shumë. E nisëm mirë dhe vazhduam ashtu deri në fund. Shpresonim për vendin e dytë, por ishte sukses edhe vendi i tretë”.
“Kampionati turk është më i fortë se ai slloven. Po të shikosh emrat që luajnë aty, mjafton për të treguar sa i fortë është. Jam përmirësuar shumë në aspektin fizik. Për Shqipërinë kam qenë gjithmonë gati. Kur je në fushë kushdo jep maksimumin”.
“Islanda? Kanë kaluar dy vite nga ajo fitore 4-2 me ata. Është ndeshje e re, duhet përqendrim dhe të harrojmë atë që ka kaluar”.
“Përjashtimi i Rusisë na e ka bërë më të lehtë grupin. Dy kundërshtarët kanë pak a shumë të njëjtin nivel. Duhet të futemi për vendin e parë. Kemi shumë lojtarë të mirë dhe kemi besim se mund t’ia arrijmë qëllimit”.
“Nëse dalim të parët në grup, na jep mundësinë të kualifikohemi më lehtë në Europianin e radhës. Vendi i parë duhet të jetë objektivi kryesor. Kemi lojtarë që luajnë në klube të mëdha, janë mësuar me presionin dhe nuk do të jetë problem”.
“Bare dhe Laçi janë lojtarë të rëndësishëm. Kemi Gjasulën, Asllanin, Bajramin e të tjerë. Duhet të japim maksimumin. Ata do na bashkohen në grumbullimin e radhës. Në këto dy vitet e fundit ka qenë i njëjti grup. Harmonia në grup do të jetë pika jonë më e fortë”. / abcnews.al