Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s, në fjalën e tij në kongresin e qeverisë europiane të futbollit ka folur gjerë e gjatë dhe sigurisht ka mbajtur një tjetër qëndrim në lidhje me European Super League. “Një person i mençur tha: ‘në një situatë shumë të vështirë ke 3 mundësi: të krijosh diçka të re e të veçantë, të shkatërrohesh, të bëhesh më i fortë’.
Zgjedhja është e qartë për mua. Kriza na ka bërë të gjithëve më të fortë dhe futbolli do të dalë më i fortë se më parë, pasi ka qenë i bashkuar që ditën e parë. Është një bashkim realisht i fortë. Stadiumet kanë qenë bosh për shumë kohë, futbolli nuk është i njëjtë pa tifozë, nuk ka atmosferë dhe u them që na ka marrë malli për ta.
Ne e kuptuam sa i rëndësishëm është futbolli për shoqërinë, ai ka qenë në ADN-në e vendeve dhe në historinë e tyre për më shumë se një shekull. Nuk është thjesht një hobi, është më shumë se një lojë, mban njerëzi bashkë dhe sjell dritë në jetën tonë. Ishte drita në fund të tunelit. Faleminderit të gjitha shteteve që pritën ndeshjet që nuk ishin në gjendje të zhvilloheshin ku pritej.
Falënderoj edhe stafin tim për punën e vështirë dhe gjetjen e zgjidhjeve, gjithmonë. Do të ishte gabim të ndaleshim tani. Duhet të jemi elastikë dhe vizionarë. Lojërat Olimpike do të jenë një mundësi për të treguar që Europa është gjallë dhe po e feston jetën. Pagesat janë bërë në kohë dhe ne do të vazhdojmë të investojmë. Ne do t’i ndihmojmë klubet të ngrihen në këmbë.
Ne nuk do të eliminojmë lojën e ndershme financiare, por duhet t’i përshtatemi realitetit të ri. Kemi nevojë të korrigjojmë disa nga padrejtësitë e këtij sistemi dhe do ta bëjmë. Diskriminimi në fushë dhe në rrjetet sociale është i papranueshëm dhe u bëj thirrje autoriteteve dhe platformave: është një rrezik jo vetëm për futbollin, por për gjithë shoqërinë. Kemi mjaft frikacë që fshihen pas adresave false në rrjetet sociale. Ne do ta çojmë futbollin e femrave në një nivel tjetër. Kishte një diferencim, që duhet të ndalet.
Për disa tifozët janë bërë konsumatorë, tifozët janë bërë klientë dhe garat janë bërë produkt. Për disa eliminimi nga Champions është një rrezik biznesi. Egoizmi duhet të zëvendësohet nga solidariteti. Paraja është bërë më e rëndësishme se lavdia, realiteti dhe pasioni. Futbolli nuk i përket askujt, ose më saktë i përket të gjithëve.
Ne kujdesemi për një ide: gara ku mund të ëndërrojnë të gjithë, respekt për historinë, traditën dhe njerëzit. Kjo do të thotë shumë për ne. Ka një arsye pse futbolli europian është dominues: ndjek një model të bazuar në diversitet, i cili e bën shoqërinë unike. E njëjta gjë vlen edhe për futbollin.
Futbollit i duhen Atalanta, Celtic, Dinamo Zagreb. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të ëndërrojnë. Klubet e mëdha nuk do jenë në të njëjtat kushte në ardhmen, ose si kanë qenë në të shkuarën. Sporti është i paparashikueshëm. Futbolli ndryshon, por këto klube mendojnë vetëm për llogaritë e tyre. Ato duhet të kujtojnë nga vijnë.
Pa UEFA-n kush e di se ku do të ishin. Ata po tentojnë të privatizojnë futbollin, një nga esencat e fundit kolektive. Nuk është surprizë për ne. Ne kemi zhvilluar një vizion për të cilin jam krenar. Në këtë pikë, do të doja t’u drejtohesha kryetarëve të disa klubeve, angleze kryesisht: Zotërinj, ju keni bërë një gabim të madh.
Disa mund të thonë se është lakmi, injorancë apo çfarëdo tjetër. Gjithsesi nuk ka rëndësi. Keni kohë akoma të ndryshoni mendim. Tifozët anglezë kanë nevojë që t’i korrigjoni gabimet tuaja. Natën e shkuar kam marrë një e-mail nga Trevor, një tifoz i Tottenham, i cili më kërkoi një biletë për finalen kundër Liverpoool dy vite më parë. Me tregoi zhgënjimin e madh me klubin e tij. Qeveritë, shtypi dhe tifozët janë me ne.
A do t’i lejojmë këto pak klube ta marrin futbollin? Jo, nuk do ta bëjmë. Ju siguroj për këtë. Ndryshoni mendjen për fansat që ëndërrojnë. Tani i them diçka Trevorit: Ti po më ndihmon shumë, mesazhi yt konfirmon se jemi në anën e duhur dhe do të luftojmë të gjithë së bashku, nuk do ta humbasim këtë lojë.
Nuk ka kompromise. Me këto reforma jam i sigurt se po ndërtojmë bazat e së ardhmes. Në kohë krizash, burrë kanë dy mundësi: egoizmin ose solidaritetin. Ne kemi zgjedhur solidaritetin së bashku dhe nuk do të pendohemi kurrë. Kjo do na lejojë të dalim më të fortë nga kriza”, është shprehur Ceferin në kongresin e UEFA-s. /abcnews.al