Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se kjo është hera e parë që faktori ndërkombëtar ushtron kaq shumë presion ndaj Kosovës. Në një intervistë për ‘News Line’ në ABC News, Haziri shtoi se janë qytetarët që preken nga ndëshkimi ndërkombëtar dhe se Kurti duket se po bën disa hapa pas.
“Kemi qenë në bisedime dhe dialog që nga viti 2011 me Serbinë por asnjëherë nuk kemi pasur një lloj presioni të tillë nga ana e BE-së. Presioni ka qenë ndaj Beogradit zyrtar dhe Serbisë, edhe si agresore gjatë luftës edhe si jo bashkëpunuese gjatë preparatit të OKB. Ne po besojmë më tutje se një lloj lutje që kemi lexuar sot të qëndrimit të Kurtit karshi planit evropian për de-eskalim do të ndodhë apo një tërheqje mbrapa sepse po lexohet drejt që Kurti çdo vendim të tij e përcjell në dy hapa pas. Por fatkeqësisht pasojat e kësaj politike ndëshkuese do të mbesin në Republikën e Kosovës.“, tha Haziri.
Sipas tij, si qeveria e Serbisë ashtu edhe ajo e Kosovës po prodhojnë kriza ditore, duke larguar në këtë mënyrë nga tavolina mundësi për depërshkallëzim të situatës. Haziri shtoi se presidentja Vjosa Osmani duhet të dëgjojë partitë politike dhe të shpallë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.
“Ajo që po shihet edhe në Serbi dhe në qeverinë e Kosovës, po prodhohen situate të krizave ditore dhe kjo largon nga tavolina një mundësi për deeskalim dhe zgjidhjëen e krizave afatgjata. “, theksoi Haziri./abcnews.al