CDC miraton doza përforcuese të vaksinës Pfizer

schedule18:43 - 24 Shtator, 2021

schedule 18:43 - 24 Shtator, 2021

Drejtorja e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve miratoi dozat përforcuese të vaksinës Pfizer për disa grupe individësh që i kanë bërë dy dozat e vaksinimit para të paktën gjashtë muajsh.

Punonjësit e vijës së parë, mësuesit, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të tjerë, puna e të cilëve i ekspozon më shumë ndaj virusit, do të jenë në gjendje të marrin dozën përforcuese, ashtu si edhe personat 65 vjeç e lart, banorët e shtëpive të të moshuarve dhe të tjerë, të moshës 50 deri në 64 vjeç, që janë të rrezikuar.

Drejtorja e CDC-së, Rochelle Walensky shtoi punonjësit e vijës së parë të enjten vonë në listën e përgatitur nga paneli këshillues i qendrës, mes atyre që kanë të drejtën për të marrë dozën përforcuese.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi të mërkurën një dozë të tretë të vaksinës Pfizer për personat 65 vjeç e lart, ata në rrezik të lartë për sëmundje të rënda dhe personat që janë të ekspozuar vazhdimisht ndaj koronavirusit.

Agjencia Evropiane e Barnave tha të enjten se planifikon të vendosë në fillim të tetorit nëse do të miratojë një dozë të tretë të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 për personat mbi moshën 16 vjeç.

Agjencia e BE-së miratoi fillimisht një proces me dy doza, por tha se infeksionet mes të vaksinuarve kishin shtuar urgjencën për rishikimin e një doze të tretë për njerëzit 16 vjeç e lart, gjashtë muaj pasi janë vaksinuar plotësisht./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!