Çavo s’duron: Tribunën VIP e doni, kurse sot ia ktheni shpinën futbollit

schedule10:10 - 8 Prill, 2020

schedule 10:10 - 8 Prill, 2020

Futbolli shqiptar po kalon një moment të vështirë, si kudo në botë. Pandemia ka paralizuar gjithçka dhe normalisht edhe hyrje të ardhurash në klube nuk ka. Këtë moment të paprecedentë po e përjetojnë edhe në Gjirokastër, ku drejtuesit e klubit të Luftëtarit bëjnë thirrje që të vërë dorë edhe shteti.

“Ne nuk e kemi luksin e klubeve të huaja të mëdha që të përballojmë situata të tilla që janë të padëgjuara ndonjëherë. Komunikojmë shpesh me kolegë në vende të ndryshme të Europës dhe konkluzioni që del është se shteti është ai që ndihmon dhe përballon situata të tilla emergjente”, thotë mes të tjerash për “Panorama Sport”, zyrtari i Luftëtarit, Vangjel Çavo.

 

Ai thekson më tej se edhe këtu duhet të ndodhë e njëjta gjë, pasi të gjithë janë taksapagues në këtë shtet. Mes të tjerash ai thekson se ata që investojnë në klube nuk pasurohen, sikurse mund të mendohet, ndaj edhe qeveria duhet ta marrë në konsideratë thirrjen e tyre. Shpenzimet janë të shumta, pasi duhen paguar pagat e futbollistëve dhe stafit, si dhe të punëtorëve te tjerë.

Në fund, Çavo kërkon t’i sqarojë të gjithë për diçka: “Nga jashtë është shumë bukur të dëgjosh sa lekë fitojnë ekipet ose presidentët e tyre, por është e kundërta kur e sheh nga brenda. Nëse ka ndonjë që mendon ndryshe, të dalë dhe të më përgënjeshtrojë për këtë që po them. Presidentët vendosin lekët e familjeve të tyre nga dashuria dhe dëshira për këtë sport.

Ndryshe nuk do kishim as ekipe Kombëtare, ku qeveritarët tanë vrapojnë të parët për të zënë vendet VIP në stadium, ndërsa sot i kthejnë kurrizin futbolli. E them edhe një herë, që qeveria jonë duhet ta ndihmojë futbollin si çdo shtet tjetër në Europë në këtë situatë. Shembulli më i mirë është Kosova, që akordoi 5 milionë euro për sportin”, deklaron Çavo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!