Antonio Cassano është kthyer për të bërë komentin e tij për derbin e sotëm të Milanos mes Interit dhe Milanit, ku njëri prej dy ekipeve sot do të presë biletën e finales së Champions League.
Duke folur në “BoboTV” përmes “FcInterNews”, Cassano sugjeroi që Milani nuk ka pothuajse asnjë shans për të mposhtur Interin dhe për të kaluar në finalen e Champions League e cila do të luhet në Stamboll.
“Interi duhet të luajë me shtatë lojtarë të Primaverës për t’u eliminuar. Dhe ekziston rreziku që edhe atëherë Milani të mos fitojë. Me Leao apo pa, ndryshon pak, Milani është inferior ndaj Interit. Portugezi nuk është Kaka apo Ronaldinho, nuk e shoh në atë nivel.
Për mua duhet të ndodhë një katastrofë që zikaltërit të eliminohen. Pas ndeshjes së parë, paraqitjeve të muajit të fundit dhe epërsisë me dy gola, për mendimin tim nuk ka asnjë shans për kuqezinjtë. Ndoshta do të bëj parashikimin e gabuar për të disatën herë”, përfundoi ish-sulmuesi italian./ h.ll/abcnews.al