Fabio Capello kritikon Juventusin dhe futbollin italian. Trajneri i njohur, tashmë në rolin specialistit të futbollit në Sky Sport, pas ndeshjes që bardhezinjtë e humbën me Barcelonën në shtëpi, u tregua i drejtpërdrejtë dhe theksoi se katalanasit mund të kishin shënuar deri në tetë gola. Veç kësaj ai vuri në duke edhe defektet e Juventusit.
“Juventusi vuajti shumë kundër një Barcelone në krizë. Më bëri përshtypje ndryshimi që kishin katalanasit, nga një skuadër në ndërtim që humbi në El Clasico, në një ekip ‘top’ në Itali. U shokova nga ndryshimi që patën në lojë dhe në intensitet. Barcelona më bëri vërtetë përshtypje, madje mund të shënonte 8 gola dhe bëri vetëm dy në aksione pa lidhje”, tha fillimisht Capello.
Më pas ai vuri në dukje ku çaluan bardhezinjtë: “Ishte një lojtar, Chiesa, i cili ishte shpesh i lirë dhe duhej shfrytëzuar. E gjithë loja u përqendrua te Dybala dhe në krahun e tij. Barcelona kishte mundësinë ta rimerrte topin më shpejt, pasi Juventusi nuk e hapte lojën.
Kundërshtari kishte një shpejtësi tjetër dhe kjo më bën të dyshoj për lojën që bëhet në Itali. I mungonte gjithë Juventusit shpejtësia, ishin gjithë kohën nën presion dhe lëvizjet e tyre parashikoheshin lehtë. Barcelona ishte shumë agresive dhe dinamike. Messi gjithashtu luftoi shumë”. /abcnews.al