Agim Canaj, ish-trajneri i Vllaznisë, ka folur në studion e “Pressing” për mungesën e një ftesë në kombëtare të Endri Çekiçit, si dhe foli edhe për merkaton e klubeve të Superiores.
ÇEKIÇI – “Sado që kam trajnuar në shumë skuadra, Endri ka shumë vite që ka ikur jashtë dhe njihet si i huaj. Ne nuk e kemi parë një ndeshje komplet dhe kjo gjë ndikon në grumbullimin në kombëtare. Duhet të shihet në një ndeshje miqësore, çfarë Endri mund të japë. Në fund të fundit, është një lojtar që nuk duhet ta humbi besimin. Kemi rastin e Trashit, i cili priti dhe priti edhe në fund, u grumbullua me kombëtaren”.
MERKATO – “Unë mendoj se nuk ka nevojë për ndërhyrje emergjente, por duhet parë që kanë nevojë për ndërhyrje në repartin e mbrojtjes, te Kukësi dhe Tirana. Teuta është një skuadër që ndryshe nga vjet, në repartin ofensiv ka mangësi të mëdha. Laçi është një skuadër që ka nevojë për merkato.
Në këto dy faza, asnjë skuadër nuk ka qenë dominuese. Kampionati është i ngjeshur në gjashtë vendet e para. Ajo që do të shikohet në këtë periudhë te Teuta, do të shikohen 1-2 sulmues. Po u përforcua reparti ofensiv, do të jetë një skuadër shumë solide. Ekipi i Kukësit është më i kompletuar, e shoh si favorit për të fituar kampionatin”.
RRELI – “Mbase ky është një emër shumë i madh, unë kam shumë për të folur për atë njeri. Jam formuar prej dijeve të tij në mjeshtërinë sportive, kam luajtur me Shkëndijën , me ekipin e parë, me ekipet kombëtare, kam marrë kupën ballkanike. Kemi dalë ndër skuadrat më të mira 21 vjeçarëve, me kontributin e këtij trajneri të lavdishëm. Ai ka bërë një epokë në futbollin shqiptar, ka lënë një emër shumë të mirë. Si trajner, dhe si pedagog, ka lënë një emër që pak trajnerë e kanë lënë në Shqipëri. Ai ishte mendjendritur, i urtë. Ishte një humbje e madhe për Shqipërinë”, tha Canaj./abcnews.al