Lorik Cana, një legjendë e kombëtares, ka provuar të luajë edhe në Francë, madje të jetë kapiten në një ekip si Marseille. Ish-kapiteni i kuqezinjve është aktivizuar edhe me PSG e Nantes, ndërkohë që ka dhënë një intervistë për “Ouest France” dhe flet për sfidën e sotme mes Francës dhe Shqipërisë, atmosferën, flet për veten, situatën në kampin kuqezi dhe të ardhmen.
NDESHJA ME FRANCËN – “Për mua është një sfidë speciale, që vendos vendin tim përballë atij ku kam luajtur për 10 vite. Është e vërtetë që arsyeja sportive është relative, por duke lënë mënjane ndeshjen, bëhet fjalë për përurimin e stadiumit të ri kombëtar. Do të zhvillohet një ceremoni madhështore, me praninë e një numri të madh ish-futbollistësh të Kombëtares së Shqipërisë. Është mirë që kjo po ndodh me ardhjen e kampionëve më fuqi të botës”.
HAKMARRJE PËR HIMNIN – “Jo. Isha në ‘Stade de France’ dhe padyshim që ndodhi një episod i pakëndshëm e i pakuptueshëm për ne. Gjithsesi u mbyll atje, bëhet fjalë për një gabim njerëzor. Dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira dhe në Shqipëri jemi shumë mikpritës. Franca do të pritet mirë dhe do të respektohet e admirohet. Nuk pres vërshëllima gjatë këndimit të himnit francez”.
NDRYSHIMET PAS EUROPIANIT – “Pas Europianit pati ndryshim brezash. Trajneri Gianni De Biasi u largua dhe erdhi Christian Panucc. Ai nuk arriti të imponohej. Tani kemi sërish një trajner italian. Ekipi është në ndërtim e sipër, me disa lojtarë premtues që luajnë në Serie A. Skuadra do të jetë shumë më konkurruese pas 2 apo 3 vitesh”.
NDIKIMI I KOSOVËS – “Ka provokuar largimin e disa talenteve dhe e ka dobësuar Shqipërinë. Për më tepër Kosova ka shkëlqyer në eliminatore, duke qenë në garë për kualifikimin deri në fund. Është fantastike për një vend të vogël me vetëm 2 milionë banorë.
FRANCA – “Njoh Steve Mandanda. Kam qenë kapiten kur ai nisi karrierën te Olimpique Marseille. Pjesën tjetër i kam takuar si kundërshtarë. Adhuroj Varane, një nga qendërmbrojtësit më të mirë në botë. Kam shumë respekt për Giroud. Franca është forcuar më shumë me dy anësorët e saj, Pavard dhe Hernandez. Ata mund të bëjnë ‘dopietë’, të fitojnë Botërorin dhe Europianin, si në vitet 1998 dhe 2000”. /abcnews.al