Cammarata: Apolonia të trajtohet si të tjerët, të nisemi nga pjesa e parë

schedule18:19 - 4 Prill, 2021

schedule 18:19 - 4 Prill, 2021

Apolonia, pas humbjes së pësuar sot nga Tirana, e ka edhe më të vështirë të mbetet pjesë e Superiores për sezonin e ardhshëm. Trajneri Fabrizio Cammarata foli në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport:

Është e rëndë, djemtë e kishin përgatitur ndeshjen shumë mirë. Ishim pothuajse perfekt taktikisht në pjesën e parë. Gabuam te goli i pësuar në fillimin e pjesës së dytë, vazhdimësia ishte e shëmtuar më pas.

Momenti më delikat i ndeshjes ishte kur pësuam golin e dytë, më pas pësuam edhe të tretin. Skuadra duhet të reagojë, duhet të tentonte barazimin, ashtu siç e bëmë në pjesën e parë.

Nuk merrem me arbitrat, të gjithë gabojnë, por ishin disa faulle të vogla, atyre u jepeshin ndërsa neve jo. Kjo më shqetësoi disi. Nuk dua të penalizohemi sepse jemi Apolonia, duam të trajtohemi njësoj si të tjerët.

Penalltia? M’u duk e çuditshme, pasi nuk e dha arbitri kryesor, e dha anësori. Me rregullat e sotme, mund të jetë penallti, edhe pse lojtari po rrëzohet. Rast i pranueshëm për një ndeshje futbolli. Gjyqtari anësor pa dorën e vendosur mbi Cale.

Mbijetesa? E dimë se do të jetë e vështirë, por i kam kërkuar skuadrës të japë maksimumin. Në futboll ndodh gjithçka, duhet të nisemi nga pjesa e parë që zhvilluam. Nëse luajmë si në pjesën e parë, mund t’i hapim probleme të gjitha skuadrave“, deklaroi trajneri italian. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!