Cameron para vizitës në Tiranë: Partneriteti ynë po jep rezultat kundër emigracionit të paligjshëm

schedule08:12 - 22 Maj, 2024

schedule 08:12 - 22 Maj, 2024

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron deklaroi se partneriteti me Shqipërinë po jep rezultat për dy popujt dhe për trajtimin e emigracionit. Duke folur për mediat britanike para vizitës së tij në Tiranë, Cameron ka thënë se anijet me emigrantë nga Shqipëria kanë rënë me 90 % nga viti i kaluar.

Mes të tjerash, ai tha se fokusi ngelet te forcimi i partneritetin përmes lidhjeve tregtare, por edhe duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Partneriteti ynë me Shqipërinë po jep një rezultat si për njerëzit tanë, ashtu edhe për të luajtur një rol kyç në trajtimin e migracionit të paligjshëm. Mbërritjet e anijeve të vogla nga Shqipëria në Britaninë e Madhe ranë me mbi 90% në vitin 2023, që do të thotë se më pak shqiptarë po bien në duart e bandave kriminale dhe po bëjnë kalime të rrezikshme në Kanal. Së bashku ne po forcojmë partneritetin tonë, po forcojmë sigurinë evropiane, duke investuar në gjeneratën e ardhshme të të rinjve, duke ndërtuar lidhje tregtare dhe duke trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar për të siguruar që ne të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për vendet tona.”, ka deklaruar Cameron.

Cameron do të njoftojë gjithashtu nisma me qëllim goditjen e bandave që trafikojnë njerëz nëpër Kanalin Anglez dhe nxisin krimin e drogës në Britaninë e Madhe.

Kjo do të bëhet nëpërmjet një programi të përbashkët potencial për të trajnuar gjyqtarët shqiptarë për të trajtuar pastrimin e parave, rikuperimin e aseteve dhe korrupsionin, si dhe nëpërmjet reformave të forcës policore të vendit për të luftuar më mirë krimin e organizuar, sipas Zyrës së Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO)./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!