Cammarata: Besoj te mbijetesa, i porosita djemtë për një gjë. Penalltia? Sade

schedule19:02 - 9 Janar, 2021

schedule 19:02 - 9 Janar, 2021

Fabrizio Cammarata, pas eksperiencës në Kategorinë e Parë në krye të Dinamos, mori një ofertë nga Apolonia dhe sot debutoi në Superiore në një ndeshje kundër Partizanit në “Elbasan Arena”. Pas sfidës, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, italiani foli gjerë e gjatë.

Penalltia? Nga pamjet që shikoj ai e ka dorën e ngritur dhe topi shkoi te dora e tij. Më duket një penallti sade. Ata janë pak të mërzitur se pësuan gol në shtesa, por sipas rregullores është penallti.

Ka një javë që ndodhem këtu, skuadra është stërvitur shumë mirë. Pjesa e parë ishte shumë e mirë nga ne, ndërsa në të dytën u tërhoqëm disi, pasi Partizani ka një skuadër të mirë. Nuk u dorëzuam në asnjë moment, kjo ka rëndësi, dhe kjo pikë do na japë moral për vazhdimin e sezonit.

Mbijetesa? Ka edhe 23 ndeshje, janë 69 pikë në lojë. Duhet të besojmë te mbijetesa, skuadra është e gjallë dhe dëshiron ta arrijë objektivin. Detyra ime është të karikoj gjithmonë skuadrën, pasi djemtë kanë dëshirë për të qëndruar. Jam i bindur që kjo skuadër mund të qëndrojë në Superiore.

Kam firmosur me Apoloninë. Ika nga Dinamo, pasi doja Superioren. Dinamon do e falënderoj gjithmonë, më dha mundësinë të njoh futbollin shqiptar. Tani mendoj vetëm për Apoloninë, presidenti do të bëjë gjëra të bukura me këtë ekip dhe shpresoj të jem pjesë e këtij plani.

I thashë djemve se nuk duhet të dorëzohemi nëse kalojmë në disavantazh. Jam i lumtur, e pashë skuadrën të bëjë gjëra të bukura në pjesën e parë. Unë kam qejf të kem një skemë fikse, por duhet t’i përçoj principet e mia djemve. Ishim shumë të ekuilibruar sot përballë një kundërshtari që do të garojë për titullin kampion“, përfundon trajneri italian. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!