“Dritëhije në histori, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi të pazbuluar”, është ky hulumtimi i studiuesit Auron Tare rreth veprimtarisë së dy personaliteteve shqiptare, që ka hapur jo pak debate mes ekspertësh të fushës dhe jo vetëm.
Për të folur më tepër rreth këtij studimi, Auron Tare ishte i ftuar në studion e “Provokacija” këtë të martë.
Në këtë studim, Tare me prova dhe me dokumenta nxjerr në evidencë faktin që këta dy njerëz, që kanë qenë dhe janë eksponentë të rëndësishëm të kulturës shqiptare, kanë pasur problemet e tyre, dhe mbijetesën shpesh herë e kanë zgjidhur, nëpërmjet disa vendimeve që nuk i ndërojnë. Ky ka qenë mesazhi i studimit.
Tare, në hulumtimin e tij, nënvizon faktin që këta janë dy figura shumë të rëndësishme të letërisë shqiptare, por krahas këtij fakti nënvizon faktin tjetër që këta dy njerëz për të garantuar mbijetësën e tyre, e kanë lejuar veten të bëjnë gjëra që duken si të qortueshme.
“Unë nuk jap përpjekur të gjykoj asnjërin. Thjesht kam bërë një rrëfim me fakte. Është zgjedhja e tyre. Nuk jam unë për t’i gjykuar. Nuk kam mendim rreth vendimeve që kanë bërë, “shprehet Tare në lidhje me Camajn dhe Koliqin.
Ndërsa Mustafa Nano i vë në dukje që në sprovën e përgatitur nga ai krahas provave ka një qëndrim të tijin, Tare thotë që ka ngritur pyetje, dhe duke qenë e njeh mirë temën, priste një oponencë më shkencore.
“U habita shumë në mënyrën e mbajtjes së qëndrimit, pa asnjë lloj argumenti dokumetar. Se unë nuk jam marrë as me fyerje as me gjë,” shprehet Tare duke iu referuar reagimeve.
Po ashtu, Tare thotë se mediat kanë raportuar se ai ka thënë që Camaj dhe Koliqi kanë punuar për UDB-Në, por sipas tij kjo nuk është e vërtetë.
“Shumë media kanë shkruar që Koliqi dhe Camaj kanë punuar për UDB-në. Unë se kam thënë në asnjë rresht për Koliqin. Për Camajn po, por jo për Koqlin,” shpjegon ai.
Studiuesi thotë se studimin e ka bërë me pasion, për “qefin e tij” dhe se nuk i ka thënë njeri ta bëjë e as nuk i ka prerë njeri biletën.
I pyetur se pse mori në studim pikërisht këto figura, Tare thotë:
“Shkruajta rastësisht. Po të ishte Lasgush Poradeci do shkruaja për Poradecin, po të ishte Petro Marko do bëja Petro Markon. Po këta kam kohë që i kam me dokumeta. Shkruajta për këta sepse më tërhoqi vëmendjen që kishte bërë Ministria jonë e Kulturës dhe ajo e Kosovës dhe mu duk butaforike, qesharake.”
Sa i përket Camajt, Auron Tare shpjegon:
“Është një dokument i ’48 ku Camaj është arrestuar në mënyrë sekrete nga Sigurimi. Kur ka dalë ka firmosur si bashkëpunëtor pa pagesë. I ri, është trembur, nuk paragjykohet. Por nuk ka treguar personalitet dhe ka denoncuar tre priftërinjtë, tre mësuesit e tij. Në atë kohë të ikte koka. Dhe u iku. Një dokument tjetër tregon si ai është në kategorinë e ilegalëve. Ky departament merrte njerëz nga shtresat me probleme, i përgatiste një lloj legjende dhe i dërgojnë për zbulim. Ky është në këtë kategori. Ka firmosur. Ky arratiset me 30 vete. Unë ngre pyetjen? Iku se nuk donte regjimin apo e kanë dërguar këta. Në grupin që ka ikur është një personazh që quhet Nik Sokoli. Më vonë ky del si një nga liderët e Komunitetit të Prizrenit…”
Po ashtu Tare përmend faktin, sipas tij, të dyshimtë, që emri i Martin Camajt “përmendet në një dokument të Shërbimit Amerikan të Zbulimit, që mbante nën vëzhgim aktivitetin inteligjent jugosllav UDB” (emri i Camajt përmendet bashkë me disa studentë të tjerë shqiptarë antikomunistë).
Camaj në këto kohë ishte arratisur nga vendi për në Jugosllavi, por sipas dokumenteve (referuar dosjes e zbulimit politik shqiptar të ’59-ës që Tare sjell, kjo zhvendosje e tij nuk ishte e rastësishme. Në të shkruhet ndër të tjera se Camaj në “1948 ka rënë në kontakt me bandën e spiunazhit jugosllav të kryesuar nga Lazër Pali”.
Veprimtarinë e Camajt, sipas Tares, e bëjnë më të dyshimta faktet, si; të qenët anëtar i “Komitetit të Prizrenit”, që tij ka qenë e kontrolluar nga UDB, ka punuar në Radio Beograd dhe më tej u largua lehtësisht për në Romë, ndonëse në letrën që ai u shkruan dy miqve të tij në Romë, shprehet se përndiqet nga regjimi jugosllav.
Sa i përket Koliqit, sipas Tares, ai ka qenë e shtrirë për disa shërbime të huaja si ato italiane, amerikane, gjermane etj. Sipas dokumentacionit që ai sjell, kjo bëhej nga ana e tij, kundrejt një pagese të majmë për kohën.
Kështu, në një raport që bëhet në vitin 1953, tregohet rreth takimit të Koliqit me drejtorin e Qendrës së Munihut në Romë, ku Koliqi vendos disa kushte për të kaluar në Shërbimin e Inteligjencës Gjermane, nga ajo amerikane, që ishte më herët.
Koliqi theksoi gjithashtu, se për çdo bashkëpunëtor të tij kërkonte të kompensohej me një pagë prej 100.000 lira. Po kështu, ai theksoi se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Shërbimin Gjerman edhe në sektorë të tjerë si ai Bullgar, Kroat dhe Rumun”, shkruhet ndër të tjera në raport rreth takimit.
Po në këto dokumente tregohet edhe për takimet dhe miqësinë e Koliqit me Karl Hass, një oficer i lartë i Partisë Naziste Gjermane. Sipas Tares, agjenti Hass, raportet politike të marra nga Koliqi mbi çështjen shqiptare “i nxirrte në treg për blerës të mundshëm”, ku mes klientëve ishte edhe shërbimi sovjetik KGB. /abcnews.al/