Cakaj takon ministrin e Jashtëm kroat: Shqipëria ka plotësuar kushtet, gati për bisedimet e anëtarësimit në BE

schedule12:06 - 2 Mars, 2020

schedule 12:06 - 2 Mars, 2020

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, këtë të hënë është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlic-Radman.

Takimi u fokusua në disa çështje kryesore, ndër të cilat çelja e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, rëndësia gjeostrategjike e angazhimit të thelluar të BE-së në Ballkanin Perëndimor, si dhe përpjekjet e përbashkëta për të nxitur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Në fjalën e tij në konferencën për shtyp, Cakaj nënvizoi punën e jashtëzakonshme të Presidencës kroate të  Këshillit të Bashkimit Evropian, për të mundësuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Është krejtësisht e qartë se Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Ky nuk është as qëndrim personal as opinion politik, por realitet objektiv i dokumentuar tashmë edhe nga Komisioni Evropian”, tha Cakaj.

Ndër të tjera në këtë takim është diskutuar edhe për marrëdhëniet e dy vendeve dhe rëndësinë që ka Partneriteti Strategjik mes Shqipërisë dhe Kroacisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!