Fqinjët e biznesmenit i cili u vra me armë zjarri mbrëmjen e të martës në Tepelenë thanë për për Abcnews.al se biznesmeni, Çajup Selimi sipas tyre nuk kishte konflikte.
Ata u shprehën të tronditur për ngjarjen, ndërsa treguan se viktimën e njihnin dhe se ishte njeri punëtor dhe i rregullt.
“Rreth orës 21:00 kemi dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Viktimën e njihnim, ishte djalë shumë i shkathët dhe bënte shumë për qytetin e Tepelenës. Na ka ardhur shumë keq. Nuk kishte konflikte me njeri dhe ishte punëtor i palodhur. Kjo ngjarje na ka tronditur. Dëgjuam dy krisma dhe u tronditëm, dolëm menjëherë jashtë. Nuk e kuptuam përse ndodhi sepse ishte djalë shumë i rregullt”, është shprehur një nga fqinjët.
Lexo edhe: PAMJET/ Biznesmeni në Tepelenë u vra në derë të shtëpisë, policia “blindon” pallatin
Kujtojmë se biznesmeni u ekzekutua në shkallët e pallatit në momentin kur ka qenë duke u futur në apartamentin ku ai banonte.
Dyshohet se autorët kanë qenë dy dhe pasi kanë qëlluar janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa ende nuk janë identifikuar. Selimi ishte pronar i një dyqani rrobash në Tepelenë.
/abcnews.al/