Kryeministri Rama ka publikuar disa javë më parë pamjet e investimit më të fundi në Librazhd. Parë nga ajri, aksi Babje-Polis duket si një rrugë e niveleve ndërkombëtare, por nëse e sheh nga toka mund të konsiderohet si një projekt i dështuar.
Asfalti i shtruar vetëm pak muaj më parë në rrugën Librazhd-Babje ka pësuar çarje. Në këtë rrugë nuk ka as ndriçim.
“Rruga ka disa rrëshqitje dhe ka ngushtime trotuaresh, ndricimi ka dy muaj që është bërë po dritat nuk janë ndezur”.
Kjo kthesë pranë ish-divizonit ose siç njihet nga banorët kthesa e lagjes Semës është kthyer në burim aksidenti. Banorët thonë se mund të devijohej.
“Kryqëzimi këtu është një nga burimet më të këqija të aksidenteve. Kur vijmë nga qyteti nuk dimë si të kthehemi. E kam pësuar dhe unë disa herë”.
“Degëzimi i kthesës nuk është bërë ku duhet. Pak më lartë mund të shikosh lapidarë që kanë ndodhur fatkeqësi prej rrugës. Nuk kuptojmë kush e si e projektuan. Është katastrofë. Ka plot njerëz që kanë mbetur sakatë”.
Rikonstruksioni rrugës Babje-Polis me vlerë rreth 203 milionë lekë me tvsh nisi nga Kompania Vëllezërit Hysa në gusht të 2020. Punimet sipas afatit duhet të përfundonin në shkurt të këtij vit. Por sic duket nga pamjet ka ende punë për të bërë. Abcnews.al