Athur Cabral bëri hapin e madh në karrierën e tij duke u transferua te skuadra e Fiorentinës në Seria A. Sulmuesi brazilian premton shumë dhe nga drejtuesit shikohet si i duhuri për të zëvendësuar Dushan Vlahovic.
Ai mbërriti te Fiorentina për 14.5 milionë euro plus dy bonuse nga Basel, ndërsa me skuadrën vjollcë do të mbajë numrin 9 mbi supe.
Në një konferencë për shtyp, Cabral tregoi se ka bërë zgjedhjen e duhur që u transferua te Fiorentina, i cili ka mbërritur në Firence për të shkruar emrin e tij në historinë e klubit. Braziliani nuk kaloi pa vlerësuar paraardhësin e numrit të tij për punën që ka bërë te skuadra italiane.
“Ndihem gati për këtë fanellë me numrin nëntë, jam përgatitur gjithë jetën për ta veshur. Në këtë klub do të bëj maksimumin tim që të mos pendohen ata që më kanë paraprirë. Kam respekt të madh për atë që bëri Vlahovic në fushë, ai shënoi shumë gola edhe këtë vit me shifra mbresëlënëse, këtu kam ardhur me synimin për të shkruar emrin tim në historinë e këtij klubi dhe të kësaj lige siç kanë bërë shumë lojtarë brazilianë para meje.
Jam i fortë fizikisht, luaj si qendërsulmues dhe karakteristika ime kryesore është finalizimi i lojës dhe lëvizja brenda zonës së rreptësisë. Unë gjithashtu marr pjesë në lojën ekipore dhe dua t’i ndihmoj bashkëlojtarët e mi që të fitojnë sa më shumë fitore”, ka deklaruar fillimisht sulmuesi.
Cabral që mezi pret të nisë aventurën me Fiorentinën, shprehet se është i gatshëm që të debutoj kundër Lazios në fundjavë.
“Nëse është e nevojshme, jam gati për ndeshjen e së shtunës kundër Lacios . Kam mbërritur në Firence tashmë i stërvitur mirë dhe po punoj për t’u përshtatur sa më shpejt me futbollin italian. Thirrja nga Fiorentina është një hap i rëndësishëm në karrierën time, ky është një klub i madh me një projekt të madh dhe jam i sigurt se të luaj këtu do të më ndihmojë gjithashtu të shkoj në kombëtare në baza të përhershme në funksion të Kupës së Botës së ardhshme .
Kur dal në fushë mendoj mbi të gjitha të ndihmoj skuadrën dhe nuk ka rëndësi nëse e bëj me asistime apo gola”, përfundoi ish-lojtari i Baselit. /f.a/abcnews.al