“Bzaj me diellin” ana e panjohur e mjeshtrit Bujar Zajmi

schedule16:00 - 7 Korrik, 2022

schedule 16:00 - 7 Korrik, 2022

Nga Leontina Nika

Kanë zgjedhur ditën e lindjes të mjeshtrit pikturës Bujar Zajmi, e bija Anila dhe Galeria e Arteve të Tiranës, për të prezantuar anën e pa njohur të tij. 100 vizatime në gjini të ndryshme, krijuar në dy kohë, nën diktaturë dhe liri.  Si emërues të përbashkët kanë frymën e njëjtë të artistit të pagëzuar “ Bzaj  me diellin”

“Jo rastësisht dhe emri i ekspozitës është përzgjedhur me kujdes. Babi është me dritë”.

Punimet me ton abstrakt, e të thjeshta në dukje, pasqyrojnë një thellësi mendimi dhe thirrje për njeriun  thekson e bija e cila është edhe kuratore e ekspozitës.

“Kam dashur që të shfaqet natyra më thelbësore e babit, më moderne. Gjë që njerëzit nuk e dinë”.

Drejtori Abaz Hado, e cilëson nder për galerinë prezantimin e punëve të Bujar Zajmit varur mbi muret e saj. Këto fjalë e emocionojnë jo pak piktorin 83 vjeçar. Heshtja e ka karakterizuar gjithnjë artistin e shquar, kësaj herë preferon të bzaj me dritën e punimeve të tij , fjalët ia ka lënë të tjerëve. Në fakt që herët ai ka patur një filozofi që përball pikturës  së tij autori nuk duhet të flas.

Bujar Zajmi me origjinë nga Kosova është piktor i njohur shqiptar. E ka nisur artin pamor që në vitin 1956, me vizatime dhe piktura së bashku mund të ketë rreth 5 mijë dhe studimet e larta i realizoi për grafikë Universitetin e Lajpcigut në Gjermani.

Njihet si piktor filmi dhe kultivues i komikes dhe kombëtares në pikturën e tij. Ai ka realizuar disa ekspozita në Shqipëri dhe Kosovë  dhe jashtë  Shqipërisë. E gjithë krijimtaria e tij artistike është e mbështetur në subjektet e jetës së përditshme shqiptare, përfshi dhe atë kosovare e pasqyruar me mjaft shije dhe nën tisin abstrakto-gjeometrik. Thelbësorja në veprën e tij është pasqyrimi i njeriut në situata të ndryshme jetësore dhe konkrete. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!