Byroja e Kuvendit ka konfirmuar përjashtimet e bëra ditën e djeshme nga Sekretariati i Etikës. Sali Berisha dhe Flamur Noka mbeten të përjashtuar për 10 ditë ndërsa Belind Këlliçi dhe Edi Paloka për pesë ditë. Mbledhja u mbajt pas kërkesës së deputetëve demokratë ku kërkonin rrëzimin e vendimit të ‘Etikës’.
Kjo masë erdhi pas kaosit që ata krijuan në seancën e fundit parlamentare. Noka tentoi t’u ndalonte fjalën deputetëve të PS duke i rënë bilbilit dhe pavarësisht apelit të kryetares Lindita Nikolla, ai nuk u tërhoq nga veprimet zhurmuese. Kjo nuk është hera e parë që Berisha dhe deputetë të tjerë përjashtohen për sjellje jo etike.
Ndërkohë, PD dhe protestuesit janë mbledhur përpara Parlamentit për të protestuar kundër qeverisë dhe në vazhdën e asaj që Berisha e ka konsideruar si “revolucioni demokratik”. Deputetët demokratë të përjashtuar kërkuan që të hyjnë brenda godinës por nuk janë lejuar nga garda./abcnews.al