Buzëqesh Pioli, Milan mund të rikuperojë yjet për derbin

schedule13:34 - 7 Tetor, 2020

schedule 13:34 - 7 Tetor, 2020

Skuadra e Milanit e ka filluar në mënyrë të shkëlqyer kampionatin, pasi kanë arritur të grumbullojnë nëntë pikë të plotë në tre ndeshje. Tashmë të besuarit e Stefano Piolit ndeshjen e radhës e kanë kundër “kushërinjve” të Interit, përballje kjo e programuar për në datën 17 tetor.

Sipas raportimit të “La Gazzetta dello Sport”, pauza nga ndeshjet e kombëtareve do t’i bëjë mirë Milanit, pasi ato do të jenë në gjendje të rikuperojnë disa nga titullarët e skuadrës.

Kështu në kampin kuqezi shpresojnë në rikthimin e Zlatan Ibrahimovic, i cili rezultoi i prekur me Coronavirus që para ndeshjes me Bodo/Glimt. Megjithatë 39-vjeçari ka vazhduar stërvitjen individuale në shtëpi dhe mund të jetë një nga lojtarët që mund të jenë në dispozicion për trajnerin Pioli për derbin e Milanos.

Gjithashtu edhe Ante Rebic mund të grumbullohet në stol në sfidën ndaj Interit. Kroati pritet të bëjë disa teste në javën e ardhshme, ku kujtojmë që ai u dëmtua në shpatull gjatë ndeshjes me Crotonen.

I fundit por jo më pak i rëndësishmi është kapiteni Alessio Romagnoli. Gjendja e qëndërmbrojtësit paraqitet e mirë dhe ai është bashkuar me grupin në stërvitje. Nuk kemi pse të habitemi nëse ai e starton ndeshjen si titullar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!