Buxheti “në tym”/ Berisha paralajmëron kaos sot në Kuvend, Garda rrethon deputetët

schedule07:30 - 20 Nëntor, 2023

schedule 07:30 - 20 Nëntor, 2023

Prej dy javësh, komisionet parlamentare nuk ia dolën të zhvillojnë një debat të shëndetshëm, dhe aq më pak normal, buxhetit të vitit të ardhshëm. Protesta e opozitës dhe veprimet bllokuese të saj, bënë që mbledhjet ku qeveria duhet të jepte llogari se si do t’i shpenzojë taksat, të kalojnë online, mbledhje të cilat pakica parlamentare, që duhet të ishte kritikja dhe llogarikërkuesja kryesore, i bojkotoi.

Këtë të hënë është momenti që paketa fiskale të diskutohet dhe miratohet në parim, në seancën plenare. Këto mbledhje zakonisht kanë qenë maratonë dhe debatet kanë vijuar gati dy ditë. Por nuk pritet të jetë kjo seanca e sotme. Sali Berisha dhe grupimi që e mbështet kanë deklaruar se do ta ashpërsojnë edhe më tej reagimin dhe nuk do ta lejojnë Kuvendin të punojë.

Zor se mund të zbulohet çfarë mund të jetë më shumë se grumbulli i karrigeve të deputetëve mbi foltore, flakadanëve, tymuesve dhe grushtave mbi kundërshtarët. Në kushtet e një reagimi të paparashikuar, garda e republikës ka marrë masa për të garantuar sigurinë fizike të deputetëve dhe për të mos lejuar përplasjen mes tyre.

Gazment Bardhi publikoi një foto të shtunën, ku oficerët e Gardës janë duke bërë një testim në sallën plenare, plan që do ta zbatojnë sot. Në këtë mënyrë, demokratët nuk do të mund të përplasen fizikisht apo t’u fikin mikrofonët socialistëve, nuk mund të hedhin karriget mbi foltore, dhe nuk mund t’u afrohen ministrave apo kryetares së Kuvendit.

Cilatdo qofshin skenarët, dhe sido që të jetë formula e zgjidhjes së socialistëve për të zhvilluar seancën, e sigurt është se ky është diskutimi më sipërfaqësor që i është bërë buxhetit ndër vite./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!