Buxheti 4.4 trilionë dollarë, “New York Times” kritikon planin e Trump

schedule18:33 - 13 Shkurt, 2018

schedule 18:33 - 13 Shkurt, 2018

“New York Times” ka kritikuar buxhetin 4.4 trilionë dollarësh të prezantuar një ditë më parë nga presidenti Trump. Sipas gazetës prestigjoze, buxheti në fjalë do të japë ato efekte negative për të cilat republikanët kritikonin presidentin Barak Obama kur ishin në opozitë.

Një vit nga marrja e pushtetit, presidenti amerikan, Donald Trump dhe republikanët në Kongres kanë menaxhuar shpenzimet federale, kanë aprovuar uljen e taksave që rrjedhimisht fryn deficitin dhe kanë shkaktuar një rritje të pasigurisë në ekonomi.

Administrata amerikane ende flet për rëndësinë e disiplinës fiskale, por i duhet ende punë për ta forcuar atë. Në një shkrim analitik, “New York Times” thotë se buxheti prej 4.4 trilionë dollarësh i prezantuar të hënën nga Trump parashikon shpenzime 10 herë më të mëdha se çdo buxhet i ofruar nga parardhësi Barack Obama, të cilin republikanët e fajësuan se po frynte përmasat e financave federale dhe po dëmtonte ekonominë.

Dhe tani, shkruan “NYT”, buxheti i Trump nuk synon të arrijë balancën mes shpenzimeve dhe deficitit, pavarësisht parashikimeve optimiste të Shtëpisë së Bardhë për rritjen ekonomike, që sipas analistëve shkojnë përtej së mundurës. Në vend të kësaj, deficiti do të rritet 7 trilionë në dekadën e ardhshme, pasi Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të marrin hua shuma të mëdha parash.

Dhe sipas gazetës prestigjoze, bëhet fjalë për një shifër që mund të dyfishohet nëse administrata vazhdon të mbivlerësojë rritjen ekonomike dhe nëse shkurtimet prej 3 trilionë dollarë të shpenzimeve, për të cilat Shtëpia e Bardhë ka rrahur gjoksin, nuk materializohen në Kongres. Dhe në fakt, shkurtimi prej 3 trilionësh duket se nuk është një prioritet për presidentin dhe liderët republikanë, nënvizon “New York Times”. Vërtet që Trump ka folur për të dhe ambiciet e tij për reformën e mirëqënies, por, shton “New York Times”, duket se nuk ka ushtruar mjaftueshëm presion ndaj Kongresit për ta vënë planin e tij në zbatim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!