Zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku deklaroi se opozita nuk mund të flasë për pensionistët, për të cilët thotë se është tallur kur ka qenë në pushtet. Nga Kuvendi, duke iu përgjigjur kritikave për pensionet, Balluku theksoi se kush është opozita dhe maxhoranca, do ta sqarojë populli në zgjedhje.
“Me të vërtetë shpreh keqardhjen se si përdoret foltorja dhe një target grup që ka kontribuuar në këtë vend prek dekadash dhe përdoret për narrativë politike. Ju i keni pasur të gjitha në dorën tuaj për të ndryshuar skemën e pensioneve, sot pensionistët janë aty dhe diferenca mes nesh që kanë dalë në pension para marsit 2014 kur skema juaj fantastike, ajo që i çon të gjithë drejt mirëqenies i ka lënë me gjysma pensionesh, ndërkohë të gjitha ata që kanë dalë në pension, krahasoni dy mësues.
Një që ka dalë në pension në vitin 2013 kur mbretëronit ju dhe mirëqenia juaj dhe një që ka dalë në pas reformës që bëri PS në 2014. Kjo i thotë të gjitha. Ajo që i thotë të gjitha është vota e pensionistëve për PS. Nëse ne i mbajmë premtimet tona, kjo duket nga mbështetja që kemi, nëse bëjmë gjithçka që themi, kjo duket nga votat që marrim. Nëse ju jeni tallur me pensionistët ndër vite dhe vazhdoni ta bëni edhe tani, ky është akti më i çuditshëm politik që mund të bëjë një forcë. Ne jemi PS që kemi bërë reformat shtetformuese, duke nisur nga ajo e pensioneve. Ne jemi ata që bëmë gjithçka në këtë vit për të vendosur një fond të qenësishëm mbi 100 milionë euro për të mbuluar këtë bonus, që nuk është bonus që ju e jepnit dhe shisnit Hotel Dajtin. A e mbani mend se si e jepnit ju bonusin e gjelit të detit.
Ju keni shitur Hotel Dajtin që të nxirrnit lekët e bonusit të gjelit të detit. Kështu që kur të dilni këtu edhe të flisni, nuk mund të flisni sikur të jeni një forcë e re, shpresa e ardhmes, sikur ka zbritur në tokë i dërguari për të rregulluar problemet e këtij vendi. Erdhi Rama dhe PS dhe e bëri këtë. Ju jeni ata që shisnit hotele për të paguar bonusin, ne jemi ata që kemi vendosur 100 milionë nga buxheti i shtetit. Çmimi i energjisë, as nuk është rritur, as nuk do të rritet madje do të ulet. Dikur njerëzit nuk kishin energji dhe e paguanin, ndërkohë që sot ka energji në çdo cep të Shqipërisë edhe kur ka kushte të këqija të motit, mundohemi ta zgjidhim në disa minuta dhe qytetarët paguajnë atë që konsumojnë. Kush jemi ne dhe kush jeni ju nuk e sqarojmë në këtë sallë, këtë e sqaron populli shqiptar dhe këtë e sqaron në 11 maj. Ne jemi këtu për të udhëhequr”, u shpreh Balluku./abcnews.al