Buxheti 2024 është miratuar me 74 vota pro nga mazhoranca në seancën plenare të mbajtur këtë të enjte. Një seancë e cila zgjati vetëm 8 minuta mes rrëmujës, kaosit dhe tymit të shashkave të vendosur nga deputetët e Foltores.
Ndërsa bëhej fjalë për ligjin më të rëndësishëm nuk pati asnjë diskutim, teksa Foltorja vijonte “luftën me karrige”. Buxheti 2024 arrin shifrën e rreth 736 miliardë lekë apo 7 miliardë euro dhe parashikon një plan në mbledhjen e të ardhurave në 6.5 miliardë euro.
Vazhdimi i reformës së pagave është vendosur edhe si një nga prioritetet kryesore të buxhetit të vitit të ardhshëm ku parashikohet ndër të tjera që paga mesatare në administratë të arrijë në 900 euro. Rritja e pagave do të nisë nga mesi i vitit që vjen.
Ndërkohë, do të bëhet indeksimi i pensioneve ndërsa është parashikuar në buxhet edhe bonusi i fundvitit.
Për herë të parë arrihet edhe objektivi i lidhur me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s duke e çuar buxhetin e mbrojtjes në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2024. Përparësi do të ketë modernizimi i Forcave të Armatosura në armatime dhe pajisje ushtarake por edhe vijimi i rritjes së pagave për personelin ushtarak.
Qeveria po ashtu zotohet të vijojë konsolidimin fiskal edhe vitin e ardhshëm duke synuar të ulë borxhin publik nën 60%, niveli më i ulët i shënuar që prej vitit 2011. Ndërsa ekonomia vlerësohet se do të zgjerohet me 3.8%, mbështetur edhe nga sektori i turizmit që këtë vit ka shënuar edhe shifra rekord në numra turistësh por edhe në të ardhura të gjeneruara prej tyre./abcnews.al