Buxheti që anëtarëson Shqipërinë në BE. Kryenegociatorja dhe ministrja e shtetit Majlinda Dhuka raportoi në Komisionin e Jashtëm, duke zbuluar edhe kalendarin e përgatitjeve të vendit drejt anëtarësimit.
“2027, është vit i rëndësishëm për të mbyllur negociatat. Më pas 2028 dhe 2029 janë vitet për t’u përgatitur para anëtarësimit. Anëtarësimi synohet brenda kësaj dekade”, tha ajo.
Por deri në anëtarësim, me anë të buxhetit, Shqipëria synon të vetëtransformohet e të arrijë mesataren e përgjithshme të standardeve të BE.
“Në përputhje me standardet e tregut, në momentin e anëtarësimit tregu shqiptar sillet si tregu europian, por edhe standardet e jetesës së qytetarëve, synojmë të arrijmë mesataren e BE”, nënvizoi kryenegociatorja Majlinda Dhuka.
Në kuadër të procesit të negociatave, Dhuka renditi edhe kapitujt më sfidues të Shqipërisë, duke nisur nga mjedisi, deri tek siguria ushqimore.
“Është një sfidë por do të adresohet nga rritja graduale ekonomike. Prioritetet janë zonat e menaxhimit të mbetjeve. Buxheti i jep rëndësi trajtimit të pyjeve, si nga pikëpamja e mbrojtjes së pyjeve dhe zonave të mbrojtura. Dhe Shqipëria ka objektiv të rrisë sipërfaqen që vihet në mbrojtje. Shqipëria sa i përket pyjeve është e krahasueshme me mesataren e BE dhe ky buxhet i kushton rëndësi të veçantë mbrojtjes së pyjeve. Një sektor tjetër që ka sfidë është sektori i Bujqësisë dhe i sigurisë ushqimore. Shqipëria ka plane programe në këtë drejtim dhe do jetë sektor që do diskutojmë intensivisht”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, Opozita mendon se vlerësimet pozitive të Brukselit nuk kanë lidhje me qeverinë, por me gjeopolitikën. Iu përgjigj kryetari i komisionit, Igli Hasani.
“Është kusht që mos ketë ndikim politik apo gjeopolitik në anëtarësimet e reja. Pa meritë dhe pa plotësuar detyrimet është e pamundur. Kjo nuk është fitore e askujt, është e të gjithëve. Sidomos atyre që mendojnë dhe shpresojnë se duke përbaltur integrimin e Shqipërisë, do fitojë politikisht, por vetëm tregojnë se kush janë, si bëjnë asnjë dëm Shqipërisë”, tha Hasani.
Por edhe për këta, ftesa iu përsërit sërish nga kryenegociatorja, me termin që opozitës i pëlqen ta përdorë në rrugë.
“Shqipëria është në kilometrin e fundit drejt familjes europiane”, u shpreh Dhuka.


