Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, që parashikon administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga ky fondacion ka shkaktuar polemika dhe debate në komisionet parlamentare.
I ftuar në emisionin “Log” me gazetar Endri Xhafo, kryetari i Komisionit Histori-Arkeologji, Neritan Ceka thotë se debati për Butrintin ka vite që po zhvillohet në Shqipëri, duke përmendur vitin 2008, kur Butrintit iu hoq autonomia.
Ceka thotë se të gjithë pranojnë se ka ardhur koha për tu bërë ndrydhim në menaxhimin e Parkut të Butrintit.
“Ka pasur mendim për ta ndryshuar situatën e Butrintit në vitin 2008 që i hoqi autonominë që kishte.
Butrinti ka pasur një fondacion që në 2002-in.Debati është spostuar opozitë në opozitë. Debati ka filluar që kur pozita dhe opozita kanë qenë në karrige të ndryshme.
Sot po ngatërrohet shapi me sheqerin. Pjesa e sheqerit që janë specialistë, të gjithë thonë se ka ardhur koha të bëhet ky ndryshim.
ADF-ja është garancia më e madhe për këtë lloj projekti. Garancia që atje nuk do bëhen as hotele, as restorante as kafe”, tha Ceka në Log.
Parku Kombëtar i Butrintit ka qenë një nga temat e nxehta gjatë ditëve të fundit mes opozitës dhe mazhorancës.
Komisioni i Ekonomisë miratoi të hënën e 9 majit projektligjin i cili parashikon që menaxhimi i kësaj pasurie kombëtare të bëhet nga një studio e huaj.
Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, që parashikon administrimin e këtij parku është parë me dyshim nga opozita.
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është krijuar me një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, një korporatë jofitimprurëse e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara, i cili ka mbështetur dhe hartimin e planit të biznesit për menaxhimin e Butrintit.
Opozita ka ngritur si shqetësim transparencën e këtij menaxhimi, duke e cilësuar një kontratë koncensionare mbi një pasuri kombëtare dhe përfshirjen e AADF-së në menaxhim si konflikt interesi, pasi më herët ky fondacion ka financuar ekspertizën për ndryshimin e ligjit për trashëgiminë kulturore dhe hartimin e planit të biznesit.
/abcnews.al/