Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Bustin që nuk e shëmbëm dot

schedule20:44 - 20 Shkurt, 2026

schedule 20:44 - 20 Shkurt, 2026

Nga Roland Lami

Përkujtimi i 20 shkurtit 1991 rrezikon të reduktohet në një datë simbolike pa domethënie reale për demokratët dhe për të gjithë ata që shpresojnë ndryshimin e regjimit për sa kohë kërkohet rrëzimi i “bustit të gjallë” të Ramës ndërsa busti brenda PD, ai i Berishës mbetet i paprekur. Problemi i rrëzimi të busteve nuk është thjesht çështje politike por më së shumti psikologjike dhe sociale. Mbas 35 vitesh rrëzimi i bustit vazhdo të konceptohet si një akt fizik jo kulturor.

Ne si shoqëri nuk mësuam ende të shembim bustin brenda vetes sepse nuk e perceptojmë si problem. Ai është bërë pjesë e identitetit tonë, e historisë sonë, e justifikimit tonë moral.Jemi mësuar ta shikojmë si problem bustin e kundërshtarit duke e perceptuar si kërcënim ekzistencial por neglizhojmë bustin brenda vetes. Shpesh e projektojmë bustin e kundërshtarit si e keqja që duhet rrëzuar me çdo çmim pa reflektuar brenda vetes nësë e kemi rrëzuar bustin brenda vetes.



Kjo nuk është gjë tjetër veç se një formë e verbërisë selektive ku bustin e tjetrit e konsiderojmë tiranik, ndërsa bustin brenda nesh e quajmë legjitim. Mirëpo, nëse nuk çmontojmë kultin e njëshit brenda strukturës sonë, çdo thirrje për rrëzim jashtë vetes duket si zhvendosje pushteti, jo si transformim demokratik. Për sa kohë demokratët nuk gjejnë forcë dhe arsye të rrëzojnë bustin e gjallë brenda tyre mobilizimi për të rrëzuar bustin e kundërshtarit mbetet një iluzion për të mos thënë hipokrizi. Kjo pasi jo pak demokrat por edhe socialist të zhgënjyer nuk kanë nevoj të ndryshojnë pamjen e bustit por kanë nevojë të thyejnë kulturën e kultit të individit që nuk po e lë këtë shoqëri të emancipohet.

Nëse thirrja e demokratëve është për t’i dhënë fund autoritarizmit, ajo duhet të nisë me çlirimin nga miti i liderit të pagabueshëm, me prishjen e piedestalit brenda Partisë Demokratike. Ftesa për të rrëzuar bustin e kundërshtarit kur ndërkohë busti brenda PD mbetet i pa cënuar në formë dhe përmbajtje rrezikon të mbesim në një cikël ku nuk vrasim mitin e bustit, por thjesht ndërrojmë autorët e tij duke e lënë sistemin të paprekur dhe duke e quajtur këtë “ndryshim”. A nuk kemi bërë këtë gjë për 35 vite ?

Nëse demokratët synojnë që 20 shkurtit të shërbej jo vetëm si datë përkujtimore por edhe si moment reflektimi dhe ndryshimi, duhet ti vendosë ata përballë një pyetjeje të pakëndshme por që kërkon përgjigje: A kemi ndryshuar kulturën e pushtetit brenda partisë apo vetëm personazhet?

Problemi nuk është thjesht një individ në krye të qeverisë, problemi është modeli i marrëdhënies me pushtetin. Për sa kohë e shohim liderin si shpëtimtar ose si armik absolut, ne mbetemi të burgosur të së njëjtës logjikë që prodhon “buste” të rinj. Nuk është rrëzimi i figurës që sjell demokraci, por rrëzimi i varësisë sonë nga figura. Pikërisht ky reflektim ka kohë që mungon te forca më e madhe opozitare.

Një shoqëri që zëvendëson autoritetet pa ndryshuar autoritarizmin, thjesht riciklon mitin e bustit. Ndryshimi i vërtetë nis kur demokratët fillojnë të heqin dorë nga nevoja për idhuj dhe kërkojnë rregulla, llogaridhënie dhe institucione që qëndrojnë mbi individin.Nëse Partia Demokratike dhe bashkë me të e gjithë politika shqiptare nuk gjen kurajon të çmontojë kultin e individit brenda vetes, çdo betejë kundër “bustit të tjetrit” do të mbetet një përpjekje pa vlerë.

Demokracia nuk lind nga zëvendësimi i figurave, por nga ndërtimi i një etike të re përgjegjësie, ku askush nuk është mbi institucionin dhe asnjë lider nuk është më i madh se rregulli. Vetëm atëherë 20 shkurti do të pushojë së qeni një kujtim nostalgjik dhe do të kthehet në një standard për të gjykuar veten.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!