Trajneri i kombëtares U-21, Alban Bushi, është i ftuar në studiot e ABC News në emisionin “Pressing”. Në fjalën e tij, tekniku i Shpresave tha:
TRAJNERËT – “Këtu kanë ardhur trajnerë shumë të mirë, nuk mund t’i marr me emra, por Oto Bar i ka dhënë shumë Shqipërisë. De Biasi çoi Shqipërinë në Europian, ishte një zgjedhje shumë e mirë. Normalisht, do të ketë dhe zgjedhje të gabuara, por e rëndësishme është të korrigjohesh sa më shpejt. Federata ka bërë zgjedhje të mira, dhe të gabuara. Nuk ka rëndësi sa kohë duhet të korrigjosh, trajneri Panuçi pati kohën e duhur për të bërë mirë. Plus që kishte dhe kontratën e tij. Nuk shoh ndonjë problem të madh te trajnerët e Shqipërisë, pasi shumica e zgjedhjeve kanë qenë të mira. Vendimet që ka marrë Reja, ka marrë vendime shumë të qeta dhe të mira. Ka marrë lojtarët që e meritojnë plotësisht të luajnë”.
PANUCCI – “Nuk shoh ndonjë problem as me Panuçin. Iku në Turqi dhe mori rezultat të mirë, por ende thoshin që është ekipi i De Biasit dhe ai nuk ka meritë. Meritat ishin të tijat. Pastaj, gjatë rrugës, pati problemet e tij dhe rezultatet nuk ishin të duhura.
REJA – “Ne jemi një Federatë e vogël, nuk mund të marrim emrat më të mëdhenj të futbollit. Kemi marrë më të mirët e mundshëm me aq mundësi sa kemi. Reja ka sa e sa ndeshje në Serie A dhe duhet të jetë nder i madh për shqiptarët që kemi një trajner të tillë këtu. Pse ndjellim të keqen? Pse themi që do dështojë? Ai është një trajner shumë i mirë. Ekipi kombëtar është në rritje, mos shihni një ndeshje. Patjetër që do të festoja për fitoren ndaj Moldavisë.
TALENTET – “Ne jemi munduar të zgjedhim më të mirët. Muriqi ka qenë te Shpresat nën drejtimin e Gegës, por nuk ishte ndonjë lojtar kushedi. Ka lojtarë që rriten në moshën 22-23 vjeç. Shqipëria ka sjellë shumë lojtarë të mirë. Ata që kanë iku te Kosova kanë bërë zgjedhjen e tyre. Ka shumë lojtarë që më kanë thënë “do vij te Shqipëria” e nesër nuk më kanë hapur telefonin, duke shkuar te Kosova”.
SHPRESAT – “Vetëm katër vitet e fundit, 14 lojtarë të Shpresave kanë marrë pjesë tek ekipi A. Ne ku ta gjejmë që të mos shkojnë shumë, sepse do të thotë që ekipi i parë është shumë mirë. Nuk është se ekipi kombëtar bënë rinovim gjithmonë. Momentalisht, kemi një mesatare moshe shumë të ulët, 23-24 vjeç. Është një rinovim që bëhet gjithmonë në kombëtare, vijnë 10, ikin 10. Mund të shkojnë 10% nga Shpresat, 80%, nuk ka shumë rëndësi. Jemi rritur shumë në ekipet zinxhirë dhe kemi filluar të shkojmë në çdo shtet, duke parë lojtarë. Suedi, Angli, Itali, kudo. Po të shikojmë rastin e Brojës, e kam thënë që do të bëhet një lojtar shumë i madh, ndoshta më i madhi. Nesër-pasnesër mund të thoni që jam në një vend nga është Broja. Me sa e njoh Brojën, ai është 100% shqiptar. Ai do të luajë vetëm me Shqipërinë, por në të ardhmen nuk i dihet”.
/abcnews.al