Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë “Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut: Një mjet parandalues në arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, i cili u mbajt në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në fjalën e tij ministri Bushati ka nënvizuar se Ministri Bushati në OKB: Diversiteti është pjesë integrale dhe pasuri e madhe e shoqërisë shqiptare.
Shqipëria është e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Me këto fjalë i është drejtuar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme ministrave pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Ne kemi integruar të drejtat e njeriut në veprimtarinë diplomatike dhe politike në rajonin tonë, në Evropën Juglindore, në kontekstin e agjendës sonë evropiane për reforma, si dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Diversiteti është një pjesë integrale dhe një pasuri e madhe e shoqërisë sonë”.
Shqipëria ka marrë iniciativën për zbatimin e Objektivit 16 të Agjendës së OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, lidhur me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe institucione të forta demokratike.
“Ne e kemi bërë prioritet përfaqësimin gjinor dhe buxhetimin dhe kjo na bën një vend shembull për barazinë gjinore në rajon dhe më gjerë”.
Takimi i nivelit të lartë “Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut: Një mjet parandalues në arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm” u zhvillua në nivel ministrash dhe këtë vit përkonte me 70-vjetorin e Deklaratës.
Ndërkaq, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri Bushati zhvilloi disa takime bilaterale. /abcnews.al