Në ditën e dytë të vizitës në Maqedoni kreu i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati u takua me Ministrin e Jashtëm, Nikola Dimitrov. Ministri Bushati vlerësoi rolin e shqiptarëve si faktor stabiliteti dhe mbështetës të flaktë të proceseve euroatlantike të Maqedonisë.
Në këtë kontekst, ai u bëri apel qytetarëve maqedonas dhe veçanërisht shqiptarëve të Maqedonisë, që të votojnë pro ne Referendumin per emrin e Maqedonisë, më 30 shtator.
Marrëveshjen e Prespës, Bushati e konsideroi si marrëveshje me “rëndësi të madhe për stabilitetin demokratik në rajonin tonë dhe perspektivën tonë të përbashkët euroatlantike”.
Gjithashtu kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se Shqipëria pret me padurim zbatimin e ligjit të gjuhëve në Maqedoni, i cili është një hap vendimtar për përmirësimin e bashkëjetesës ndëretnike. Më herët, Ministri Bushati u takua me Kryeparlamentarin Talat Xhaferri dhe Zv/kryeministrin Bujar Osmani. /abcnews.al