Erisa Zyka:
Presidenca franceze pritet të luajë një rol të rëndësishëm për zgjerimin e Bashkimit Europian, edhe pse kjo presidencë përkon me një periudhë elektorale legjislative në Francë dhe zgjerimi i kësaj organizate konsiderohet si një temë e ndjeshme dhe aspak popullore për opinionin publik francez në një kontekst pandemie dhe përballjeje me pasojat e saj.
Burimet diplomatike të Bashkimit Europian kanë bërë të ditur për ABC, se presidenca franceze do të jetë aktive për zgjerimin në gjashtëmujorin e ardhshëm. Sipas këtyre burimeve, presidenti francez, Emmanuel Macron ka shprehur gatishmërinë që të angazhojë kapital politik lidhur me politikën e zgjerimit, ABC ka pyetur burime diplomatike të BE-së lidhur me faktin, nëse presidenca franceze mund të zhbllokojë ngërçin e krijuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninê e Veriut dhe Shqipërinë nga veto bullgare, apo do t’ia kalojë stafetën presidencës së ardhshme çeke nisur nga kalendari gjashtëmujor që ka përcaktuar qeveria bullgare për negociatat me Maqedoninê e Veriut, për zgjidhjen e çështjeve lidhur me historinë, identitetin dhe të gjuhës. Këto burime kanë sqaruar, se presidenca franceze do të vazhdojë të angazhohet me qeverinë e Bullgarisë dhe me qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të zhbllokuar situatën. Presidenca franceze synon që ta shoqërojë qeverinë bullgare në kalendarin që kjo e fundit ka përcaktuar për negociatat me Maqedoninë e Veriut. “Presidenca franceze synon të zhbllokojë kêtë, ngërç, që ka krijuar një situatë shumë negative në rajon” janë shprehur këto burime.
Lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd, konfirmohet se Franca me Gjermaninë do të vazhdojnë inisiativën e mëparëshme të ndërmarrë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emanuel Macron në kuadrin e dialogut. “Kancelari i ri gjerman Olaf Scholz dhe presidenti Emmanuel Macron duan të vazhdojnë në këtë rrugë” kanë shpjeguar burimet diplomatike të BE-së. Duke ju përgjigjur pyetjes së ABC, se nga pikëpamja e Kosovës, përshtypja është se Bashkimi Europian ushtron më shumë presion ndaj Kosovës sesa Serbisë, duke qenë se lehtësimi i dialogut bëhet nga përfaqësuesi i lartë dhe përfaqësuesi special, që vijnë nga vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, këto burime kanë bërë të ditur, se edhe nga ana e Serbisë konsiderohet e njëta gjë, që ka më shumë presion mbi palën serbe.
“Ndaj ka punë për të bërë, nuk është e lehtë, por presidenca franceze është e motivuar për të luajtur një rol më të madh politik, duke patur parasysh edhe situatën e tensionuar në Bosnjë-Hercegovinë” kanë shpjeguar këto burime. Sipas tyre, nevojitet një angazhim i vërtetë për një rol më të madh politik në rajon, pasi aktorët e tjerë që janë aktivë në rajonin e Ballkanit Perëndimor luajnë një rol destabilizues. Këto burime kanë rikujtuar, se presidenti francez ka shprehur angazhimin për të organizuar një konferencë për Ballkanin Perëndimor në fund të presidencês franceze dhe kjo bën pjesë tashmë në kalendarin e presidencës.
/abcnews.al/