“Burgosja” dhe dhuna ndaj grave/ Psikologia: Autorët, me probleme të shëndetit mendor. Rastet përsëriten nëse nuk jepen dënimet e merituara

schedule18:37 - 6 Shkurt, 2024

schedule 18:37 - 6 Shkurt, 2024

34 vjeçari Asqeri Mandri u arrestua të martën nga policia e Tiranës pasi ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes dhe e mbante të mbyllur në banesë, ku e monitoronte nëpërmjet kamerave që kishte instaluar. Ky është rasti i dytë i zbuluar brenda pak ditëve, pas Jetnor Zhabolit, i cili kishte “ngujuar” gruan, nënën dhe fëmijët në banesë, të cilët i monitoronte nga kamerat dhe u bllokonte valët e telefonit.

Psikologia Manolita Hida, në një intervistë për “Special Report”, theksoi se individët që kryejnë veprime të tilla, kanë probleme të shëndetit mendor, pasi nuk arrijnë ta perceptojnë realitetin siç është. Duke u ndalur tek rastet e dhunës në rritje, ajo tha se kjo vjen për shkak se autorët nuk marrin dënimin e merituar.

“Ajo që ngrihet si shqetësim është se kemi të bëjmë me individë që nuk e perceptojnë realitetin siç është. Dhe në këtë kontekst, të gjithë aspektet e funksionimit normal të individit janë të keqpërshtatura. Kemi të bëjmë me probleme të shëndetit mendor? Po, sepse individi nuk di si të sillet dhe shkon drejt akteve ekstreme që dëmtojnë individët e tjerë që ka përreth, si bashkëshortja, prindërit apo edhe vetë fëmijët.

E para, duhet analizuar edhe pjesa e kohës për të kuptuar impaktin që ngjarjet kanë nga njëra tek tjetra. Nëse kemi të bëjmë me një model të kopjuar, që është mësuar diku tjetër dhe nga ka ardhur kjo. Së dyti, sikundër e theksova, kemi të bëjmë me individë që dukshëm janë pjesë e problemeve të shëndetit mendor për sa kohë nuk arrijnë dot të ndajnë një sjellje të shëndetshme nga një jo e pashëndetshme dhe të vendosin mekanizmat gjykues të vetes dhe të kuptojnë se veprimi është i gabuar. Kemi të bëjmë me individë që kanë një sens kritike të brendshëm të dobët.“, u shpreh psikologia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!