Burg për katër “të fortët”/ Beqiri: Krimi i lidhur me politikën. Nëse ata flasin, do të tronditet…

schedule13:43 - 20 Maj, 2024

schedule 13:43 - 20 Maj, 2024

Avokati Idajet Beqiri thotë se megaoperacioni i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ku u goditën 7 grupe kriminale, shënon fillimin e lufte të ashpër ndaj krimit të organizuar.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Beqiri u shpreh se krimi i organizuar është i lidhur me korrupsionin e lartë shtetëror.

Sipas Beqirit, nëse të arrestuarit nga megaoperacioni i SPAK, do të flasin, atëherë do të tronditet politika e lartë shtetërore.

“Është një veprimtari tepër e rëndësishme e SPAK, jam i bindur që ky operacion shënon fillimin e një lufte tepër të ashpër të krimit të organizuar, por indirekt dhe direkt do të prekë korrupsionin e lartë shtetëror. Janë të lidhura krimi i organizuar me korrupsionin e lartë shtetëror. Këta janë ushtarët faktikisht, gjeneralët e tyre ende nuk kanë dalë në skenë, fuqizimin e kanë marrë nga politika. Politika duke qenë e pandëshkueshme e bëri edhe krimin të pandëshkueshëm.

Janë shumë vrasje të pazbardhura të komanduara dhe të paguara nga politika, kanë qenë një pjesë ekzekutorë nga këta që janë arrestuar. Hetimi i këtij grupi do të çojë në zbardhjen e një sërë vrasjesh. Kemi vrasje të tilla të natyrës që SPAK nuk ka filluar të merret me to. Këto vrasjet e fundit, të këtyre 15 viteve të fundit, ata dinë shumë gjëra, kanë qenë pjesë e këtyre. Ka edhe të gjithë krahëve të politikës, politika është përzier keq në krim. Këta, jam i bindur që një pjesë e këtyre që janë arrestuar sot, nëse do të fillojnë të flasin, do të shikojmë që politika do të tronditet shumë, politika e lartë shtetërore. Aq shumë krime janë bërë në këtë fushë, janë porositur edhe vrasje politike. Shtrirja është thuajse në të gjithë vendin.

Është plagë e vjetër Vlora, nuk po preket ende. Është vatër e rrezikshme krimi, Shkodra. Edhe politika aty ka bërë siç i ka dashur qejfi. Qeverisja aktuale e respekton përgjithësisht ligjin dhe po ndërton shtet, institucione. Më parë kishim qeverisje tjetër, flas edhe për qeverisjen 2009-2013, ishte një katastrofë në fushën e korrupsionit. Ata kanë funksionuar, ajo qeverisje ka pasur elementë të organizatës kriminale. Familjet e tyre kanë qenë të lidhura me këto krime”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!