I këputi këmbën vajzës, prokuroria shpëton Jehon Breçanin nga burgu, gjykata: Të qëndrojë në shtëpi

schedule17:47 - 13 Korrik, 2021

schedule 17:47 - 13 Korrik, 2021

19-vjeçari Jehon Breçani nuk do të rikthehet në qeli. Pavarësisht se i këputi këmbën me makinë një vajze 23-vjeçe, e cila po ecte në trotuar në zonën e Kinostudios,  Breçani do të vijojë që të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Kronologjia e ngjarjes së rëndë

Rreth orës 19:15 të datës 10 qershor makina luksoze nën drejtimin e 19-vjeçarit Jehon Breçani për shkak të shpejtësisë doli nga rruga në zonën e Kinostudios dhe goditi vajzën 23-vjeçe dhe më pas u përplas me një pemë që ishte buzë rrugës duke përfunduar në fund në murin e një zyre noterie.

Vajza Xhesina Gega humbi njërën këmbë në vend nga goditja duke përfunduar rëndë në spital, ndërsa disa ditë më pas gjendja u stabilizua. Për Breçanin fillimisht u dha masa e sigurisë “arrest me burg”, por më pas ajo u ndryshua në “arrest shtëpie” dhe i riu iku menjëherë në shtëpi pasi u shërua nga dëmtimet e marra prej aksidentit.

Prokuroria e Tiranës apeloi vendimin duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë për Breçanin nga “arrest shtëpie” në “arrest me burg”. Por ditën e sotme, gjykata e Apelit në njoftimin për mediat thekson se prokuroria u tërhoq nga ankimimi.

Referuar kërkesës së paraqitur nga organi i prokurorisë për heqjen dorë nga ankimi, vendosi “mospranimin e ankimit ndaj vendimit nr.938/1 akti, datë 25.06.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shkak të heqjes dorë prej ankimit. Pra është vendosur që të mbetet në fuqi masa “arrest shtëpie” për Jehon Breçanin”.

Ngjarja e rëndë shkaktoi mjaft reagim publik pasi arroganca dhe pakujdesia e të rinjve të pasur me makine luksoze në rrugët e Shqipërisë është duke rrezikuar çdo ditë jetën e qytetarëve. Në 25 Qershor djali i një tjetër biznesmeni shoi një familje në aksin Fier-Vlorë. db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!