Bundesliga/ Frankfurt i “falet” VAR-it, Wolfsburg fiton bindshëm transfertën e Heidenheim

schedule21:46 - 10 Nëntor, 2024

schedule 21:46 - 10 Nëntor, 2024

Po të mos ishte për sistemin VAR rezultati do të ishte ndryshe.

“Shqiponjat” e Eintracht Frankfurt kanë arritur të sigurojnë një fitore me shumë fat në sfidën e javës së 10-të të kampionatit gjerman të futbollit Bundesliga, teksa mundi me rezultatin e ngushtë 3-2, në “MHP Arena”, skuadrën e Stuttgart.

Të parët që patën mundësinë për të zhbllokuar avantazhin ishin vendasit e Stuttgart, mirëpo nga pika e bardhë e penalltisë, Ermedin Demirovic gaboi, duke i dhënë kështu mundësinë miqve nga Frankfurti të shënojnë 3 gola, me anë të Hugo Ekitike, Nathaniel Brown dhe “yllit” egjiptian Omar Marmoush.

Vendasit do të kërkonin të gjenin kthesën, teka arritën të ngushtonin rezultatin në 3 me 2, pas rrjetëve të Vagnoman e Woltemade në minutat 86’ e 90’ dhe madje arritën të siguronin edhe barazimin e madh, mirëpo pas një rishikimi të aksionit të golit të Fuhrich rezultoi se pozicioni i gjermanit ishte i parregullt duke anulluar golin.

Në krahun tjetër, Wolfsburg ka fituar bindshëm me shifrat 3-1 ndaj Heidenheim në “Voith-Arena”, me golat e Gerhardt, Dardai e Tomas, që nxorrën “të pavlefshëm” rrjetën e Pieringer, duke siguruar tre pikë të rëndësishme.

Falë këtyre rezultateve, “Shqiponjat” e Eintracht Frankfurt janë ngjitur në vendin e 3-të të renditjes me 20 pikë, vetëm 1 më pak se Leipzig e 6 më pak se Bayern Munich kryesues, Stuttgart mbetet  në vendin e 11-të të renditjes me 13 pikë, Wolsfburg ngjitet në vendin e 12-të me 12 pikë, ndërsa Heidenheim bie në vendin e 14-të me 10 pikë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!