Bumi turistik, hov zhvillimi për Shqipërinë/ Ekspertja: Oferta të jetë e diversifikuar, çfarë duhet të bëjmë në panaire

schedule14:32 - 25 Janar, 2024

schedule 14:32 - 25 Janar, 2024

TIRANË- Sektori i turizmit vijon të shihet si “arma më e fortë” dhe më premtuese për Shqipërinë. Të shumtë kanë qenë turistët e huaj, që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet apo kanë vizituar për një kohë të caktuar Shqipërinë në të gjithë dimensionin e saj.

Ekspertja e turizmit të qëndrueshëm, Eva Kushova, e ftuar në “Money Report” u shpreh se turizmi i luksit duhet të ofrohet vetëm në vendet bregdetare, ndërsa vuri theksin te domosdoshmëria e diversifikimit të ofertës turistike.

Sipas saj, turizmi po shihet si mekanizëm, që do ndikojë në zbutjen e varfërisë.

“Turizmi i luksit te jetë vetëm në bregdet. Duhet të promovohen vlerat unike, te kemi një ofertë për  çdo atraksion. Kjo është strategjia e turizmit të qëndrueshëm, që turistët të lënë para në komunitet. Qëllimi është që turizmi të zbusë varfërinë”, tha ajo.

Por pavarësisht dëshirave, ekspertja tha se duhet një transport gjarpërues nga veriu në jug, me qëllimin që turistët të aksesojnë çdo bukuri të vendit tonë dhe të shijojnë atë.

“Duhet që transporti publik të mbërrijë kudo. Nëse do mbërrinte rruga dhe transporti, ata do linin vende të ndryshme”, tha ajo.

Një tjetër çështje, e cila u prek nga ekspertja, lidhet me ofertën që bën Shqipëria në panairet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ajo theksoi se duhet bërë shumë kujdes tek oferta, pasi një numër i shtuar turistësh, përtej kapaciteteve mbajtëse që kemi në dispozicion, rrezikon të kthehet në imazh negativ për turizmin e Shqipërisë.

“Kanë një rol shumë të madh. Në këto panaire duhet të shkohet me mendje, se cilën zonë e kam më pak të promovuar. Duhet të shkohet më një video të re, slogan të ri dhe ti të kesh një program të caktuar se cilin turist do ofrosh. Para së të kërkojmë më shumë turistë, duhet të kemi përgatitur destinacionin se ku do t’i çojmë”, theksoi ajo./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!