Maqedonia e Veriut do t’i marrë falas nga Bullgaria dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë i këtij vendi, Venko Filipçe.
“Për dozat do të mësojmë në periudhën që vijon. Besoj se sasia e parë te ne do të arrijë në janar, edhe pse se situata nuk është vetëm në dorën e tyre dhe absolutisht i kuptoj që presioni nga vendet e gjithë botës është i madh”, tha Filipçe pas kthimit nga vizita në Sofje.
Ai mori pjesë në mbledhjen e Qeverisë bullgare, e cila njoftoi se do t’i dhurojë Maqedonisë së Veriut një sasi të vaksinave nga furnizimet e saj.
Sipas ministrit bullgar të Shëndetësisë, Kostadin Angelov, fillimisht do të arrijnë vaksinat Pfizer/BioNTech, pastaj ato Moderna dhe AstraZeneca.
“Ne do të kemi doza të mjaftueshme për të gjithë qytetarët bullgarë dhe, veç kësaj, do të kemi edhe doza shtesë për vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor. Pason nënshkrimi i marrëveshjeve konkrete për t’i hapur rrugë procesit për përcaktimin e sasive të nevojshme edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, tha Angelov.
Premtimi për vaksinat falas vjen në periudhën e tensioneve të larta mes dy vendeve, për shkak të vetos bullgare ndaj kornizës negociuese midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
Vazhdon rënia e numrit të të infektuarve me koronavirus
Ndërkohë, sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, në Maqedoninë e Veriut ka vazhduar rënia e numrit të të infektuarve me koronavirus.
“Edhe këtë javë vazhdon rënia e të gjithë numrave, indikatorëve që po i vëzhgon Instituti i Shëndetit Publik gjatë kësaj periudhe. Kemi ulje për 16.9 për qind të personave të rinj të infektuar në shtatë ditët e fundit. Përqindja e personave të testuar pozitivë shënon ulje për 5 për qind, aq sa shënon ulje edhe numri i pacientëve që humbin jetën”, tha ministri Filipçe.
Por, ai paralajmëroi se “ulja e shifrave të të infektuarve nuk duhet të shërbejë për relaksim”, por përkundrazi, shtoi ai, masat duhet të respektohen në përpikëri, që të parandalohet ndonjë valë e re e infektimeve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, të martën u regjistruan 22 viktima nga koronavirusi dhe 758 raste të reja pozitive.
Rastet e reja rezultuan nga testimi i 2,562 mostrave.
Të martën u raportua edhe për shërimin e 944 pacientëve.REL