Bullgaria dënon djegien e flamurit bullgar në Maqedoninë e Veriut

schedule12:52 - 15 Janar, 2021

schedule 12:52 - 15 Janar, 2021

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka dënuar aktin e djegies së flamurit bullgar në një karnaval që është mbajtur të mërkurën në qytetin e Vevçanit në Maqedoninë e Veriut.

Pjesëmarrësit në këtë manifestim tradicional, përveç djegies së flamurit, kanë defiluar me maska e veshje ushtarake, duke treguar, sipas tyre, të kaluarën fashiste të Bullgarisë, ndërsa disa të tjerë kanë mbajtur në duar rrënjë pemësh, duke ironizuar me pretendimet bullgare se maqedonasit dhe gjuha e tyre kanë “rrënjë bullgare.”

“Pas njoftimeve në media në lidhje me djegien e flamurit bullgar në Vevçani në Republikën e Maqedonisë së Veriut, udhëzova ambasadorin bullgar në Shkup, Angel Angelov, t’i shprehë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut pakënaqësinë tonë të fortë për këtë akt vandalizmi. Ambasadori Angelov tashmë i ka dërguar një notë të mprehtë verbale Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut”, ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

Ministria e Jashtme në Shkup nuk ka shpalosur përmbajtjen e letrës verbale, por në një komunikatë ka dënuar aktin e djegies së flamurit bullgar.

“Tradita shekullore nuk duhet të rrezikohet nga aktivitete që përçmojnë ose ofendojnë kombet, shtetet, veçanërisht fqinjët tanë. Ne e dënojmë djegien e flamurit të Republikës së Bullgarisë në karnevalin në Vevçani – një akt i cili jo vetëm që dëmton reputacionin e karnavalit këtu, por dëmton edhe reputacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Shkup.

Akti është dënuar edhe nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!