Fshati Madhesh ndodhet në rrugën nacionale Milot-Burrel, në krahun jugor të liqenit të Shkopetit, në malin ku shkruhet historia e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti. Fshati i dikurshëm ishte i populluar, me natyrë të mrekullueshme, me bimësi dhe pyje.
Banorët kalonin nëpërmjet kësaj ure pasarelë, e ndërtuar shumë vite më parë dhe e projektuar nga një inxhinier i huaj. Edhe pse në ditët e sotme ka pësuar dëmtime, kjo urë duket se ruan karakteristikat e saj me vlera si atraksion turistik. Të huajt që udhëtojnë në këtë zonë mahniten me pasuritë natyrore, ku ndërthuret pamja e liqenit që gjarpëron deri në Ulzë, me malet nga dy krahët dhe dendësinë e pishave përgjatë rrugës nacionale.
Zef Gjeci është njëri nga banorët e fshatit Madhesh, I cili tregon se kjo zonë ruan vlera historike, ndonëse banorët janë larguar.
Zef Gjeci dhe një banor tjetër i moshuar, kryejnë rikonstruksionin e kësaj ure për ta bërë të qarkullueshme.
Ai thotë se në shtëpinë e tij mbarështon disa koshere me bletë dhe bagëti të tjera shtëpiake. Ai kërkon që nga fëmijet e deri të banorët e fshatit që të rrisin interesin në mbarështimin e bletëve, pasi në mal ka shumëllojshmëri pemësh dhe bimësh për të furnizuar me ushqim bletët.
Zefi dhe familja e tij janë tradicionalisht mikpritës. Ai rrëfen ngjarjet e viteve 1997 ku bandat në aksin Milot Burrel Peshkopi dominonin dhe mjaft udhëtarë binin pre e grabitjeve nga bandat e armatosura. Mjaft qytetarë kërkon ndihmën e Zefit që shërbente me një bar anës rrugës pranë Shkopetit. Zefi me vëllezërit e tij, jo vetëm strehonin gjatë natës udhëtarët, por dhe i ndihmonin të kalonin edhe pjesën e rrezikshme të rrugës.
Bamirësitë e familjes së Zefit janë treguar edhe në vitin 1999 me eksodin e luftës në Kosovë, në shtëpitë e kësaj familje janë strehuar për shumë kohë mjaft nga vëllezëerit kosovarë dhe ende sot pas 26 vitesh, një pjesë e tyre ruajnë lidhjet me familjen Gjeci në fshatin Madhesh./abcnews.al