Me një recetë sekrete dhe pasionin për punën e bukëpjekësit, një i ri nga Fieri po i konkuron prodhuesit tradicionalë dhe të vjetër te bukës.
Pasuria me të cilën emigranti Erald Çelniku u kthye në vendlindje nuk kishte vlerë monetare por po i kthehet si e tillë. Kryevepra e tij si bukëpjekës, është kombinimi i një recete të vjetër greke me miell nga gruri i fushave të Myzeqesë.
Historia është e denjë për t’u treguar nga gjyshi te nipërit.
“Buka e gjyshes” i dedikohet zonjës së moshuar greke me emrin Katerina. Kjo e fundit ia dha recetën familjare të trashëguar nga brezi në brez, një shqiptari.
Dy përbërës, uji i bekuar me të cilin zihet brumi mëmë, ndërsa tjetri, sekret të cilin 38 vjeçari nuk do ta tregojë për momentin.
Fale “bukës së gjyshes” por edhe produkteve të tjera të brumit, në pak vite, familja Çelniku ka hapur tre dyqane buke dhe ëmbëlsirash.
Emigrantët e kthyer nga Greqia në pjesën më të madhe kanë përvetësuar zanatin e bukëpjekësit duke qënë ky i fundit një traditë tipike e vendit fqinj.
Gazetare: Valbona Daci
Operator: Musa Çela
/ABC News Albania 24/7