BSH: Sektori bankar fitoi 21.7 miliardë lekë vitin kaluar

schedule07:42 - 14 Shkurt, 2023

schedule 07:42 - 14 Shkurt, 2023

Tremujori i fundit i vitit 2022 ka sjellë një rritje të ndjeshme në fitimet e sektorit bankar, që kanë arritur, madje edhe tejkaluar lehtë, nivelet e shënuara në vitin 2021. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për vitin 2022 sektori bankar arriti një fitim neto në vlerën e 21.68 miliardë lekëve, në rritje me 0.2% krahasuar me vitin 2021.

Për vitin 2022 sektori bankar regjistroi një rritje të ndjeshme të të ardhurave neto interesi, fakt që dëshmon se faza e parë e rritjes së normave të interesit ka dhënë një efekt të dukshëm pozitiv në bilancet e bankave. Të ardhurat neto nga interesi (të ardhura nga interesat minus shpenzimet për interesa) arritën në 52 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 13%.

Të ardhurat nga interesat e kredive dhe të letrave me vlerë janë rritur me 13%, duke reflektuar lëvizjet e normës bazë të interesit të bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, në krahun e detyrimeve dhe kryesisht të depozitave rritja e interesave është reflektuar në vlerë absolute më të vogël (baza e rritjes ka qenë e ulët, sepse interesat kanë qenë afër zeros), duke ndikuar kështu në rritjen e rezultatit nga interesat.

Megjithatë, rritja e rezultatit nga interesit është “anuluar” nga efekti paralel negativ i rezultatit nga instrumentet financiare. Rritja e shpejtë e yield-eve ka ndikuar negativisht në portofolat e titujve financiarë të mbajtur me vlerë të drejtë.

Kjo ka sjellë një humbje nga instrumentet financiare në vlerën e katër miliardë lekëve dhe ka sjellë rënie të ndjeshme në zërin e të ardhurave jo nga interesat, me 27% më pak krahasuar me vitin 2021.

Luhatjet në krahun e shpenzimeve ka qenë më të vogla. Bankat kanë rritur shpenzimet e aktivitetit me 2.9%, kryesisht si rezultat i shpenzimeve më të mëdha për personelin. Si shumë sektorë të tjerë të ekonomisë, edhe sektori bankar vitin e kaluar është përballur me një trysni nga tregu i punës, duke rritur shpenzimet për paga.

Zëri më sensitiv i shpenzimeve, ai i lidhur me provigjionet, vitin e kaluar nuk ka pësuar luhatje shumë të forta. Shpenzimet për provigjione arritën në 1.5 miliardë lekë, 25% më shumë krahasuar me vitin 2021, por në vlerë absolute (rreth 300 milionë lekë) ky efekt nuk ka qenë shumë i lartë.

Bankat kanë rriture ndjeshëm shpenzimet për provigjionimin e kredive, me gati katër herë më shumë krahasuar me një vit më parë. Por, kjo rritje është balancuar nga ulja e shpenzimeve për provigjionimin e mjeteve të tjera financiare, çka i ka mbajtur shpenzimet totale për provigjione në nivele relativisht të ulëta.

Treguesit e rentabilitetit të sektorit kanë rezultuar ndërkohë në vlerë lehtësisht më të ulëta krahasuar me vitin 2021. Kthimi nga kapitali aksioner ka zbritur në 12.3%, nga 12.89% që kishte qenë një vit më parë. Kjo ka ardhur kryesisht si rezultat i shtimit të kapitalit aksioner, edhe për shkak të rritjes progresive të kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë.

Edhe kthimi nga aktivet ka rënë në 1.36%, nga 1.42% që kishte qenë një vit më parë.

Këto rezultate mbështeten në standardet lokale të raportimit, që aplikohen nga Banka e Shqipërisë për qëllime të mbikëqyrjes bankare dhe kanë vlerë orientuese për performancën financiare të sistemit.

Ato mund të ketë ndryshime të ndjeshme krahasuar me rezultatet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, që përfaqësojnë edhe standardin ligjor të raportimit për bankat tregtare./Monitor

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!