BSH rrit normën e interesit në 3.25 %, ekspertja e ekonomisë: Ndikon në investime, mund të ulen nga ndryshimi

schedule14:30 - 2 Nëntor, 2023

schedule 14:30 - 2 Nëntor, 2023

Ekspertja e ekonomisë, Morena Boja në një intervistë në “Tirana Live” në ABC foli për rritjen e normës së interesit. Gjatë kësaj interviste, ekspertja e ekonomisë sqaroi se ndryshimi i normës së interesit në tërësi ndikon edhe në investime, pra mund të ketë më pak investime për shkak të ndryshimit të normës së interesit.

“Norma e interesit është një tregues ekonomik dhe ka një ndikim në ekonomi. Në këtë rast ndryshimi i normës së interesit, pra duke e rritur normën e interesit mendoj që është parë nga Banka e Shqipërisë si një instrument për të kthyer normën e inflacionit brenda objektivit të vendosur. Por gjithashtu tregon edhe shqetësimin e BSH për të mbajtur në kontroll normën e inflacionit. Ka disa faktorë që ndikojnë në normën e inflacionit, por në këtë rast është parë ndryshimi i normës së interesit si një instrument për të ndikuar në normën e inflacionit. Duke marrë në konsideratë rritjen e çmimit, kemi një ekonomi ku çmimet rritet shpejt, atëherë inflacioni është shumë i lartë dhe ndryshimi i normës së interesit ndihmon për të normalizuar normën e inflacionit dhe për ta kthyer atë brenda parashikimeve të bëra brenda institucioneve përkatëse”, tha ajo.

Ndër të tjera ekspertja Boja tha se gjithashtu institucionet duhet të mbajnë në kontroll kursin e këmbimit, pasi ka një nivel të lartë të informalitetit.

“Shpesh për të normalizuar çmimet përdoren politika të ndryshme. Mendoj që mund të ketë një stabilitet të çmimeve në këtë rast, por nuk mund të flas me shifra ekzakte sepse duhen matur edhe efekti që ka ndryshimi i normës së interesit tek çmimet përkatëse. % që paguhet për interesat e huamarrjes është relativisht e lartë. Pra efekti nuk është vetëm mbi biznesin apo individë, por një efekt në shumë sektorë. Jo më kot Banka Qendrore Europiane kanë vendosur mosndryshimin e këtyre normave sepse është shumë herë më riskoz se monitorimi i normës së inflacionit. Pra efektet që ka ndryshimi i normës së interesit në ekonomi janë më të larta se ulja e normës së inflacionit. Mendoj që Banka e Shqipërisë përderisa sa ka arritur në këto konkluzione, besoj se ka parë të arsyeshme ndërhyrjen në normën e interesit. Mendoj që ka qenë e domosdoshme ndërhyrja, por gjithsesi këto mbeten për t’u parë, pasi duhet të shohim rezultatet pas aplikimit të normës së interesit”, tha ndër të tjera ajo./abcnews.al.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!